Edhe një përfitim për Turqinë pas vendimit për Suedinë, Kanadaja i zhbllokon bisedimet për pjesët e dronëve
Kanadaja i ka zhbllokuar bisedimet me Turqinë për largimin e kontrollit të eksportimit të pjesëve të dronëve, pasi Ankaraja ia dha dritën e gjelbër anëtarësimit të Suedisë në NATO, ka thënë një person i afërt me këto bisedime. Ky veprim shihet si njëri nga disa lëshimet që i janë bërë Turqisë për ta siguruar përgjigjen pozitive të saj për Suedinë.
Drita e gjelbër nga presidenti turk, Rexhep Erdogan, që i dha fund kundërshtimit më të gjatë se një vit ndaj anëtarësimit të Suedisë në NATO, ishte befasi edhe për aleatët e tij brenda vendit, të cilët e kishin përkrahur për kërkesat ndaj Stokholmit për ndërmarrjen e masave kundër grupeve që Turqia i cilëson terroriste, raporton agjencia “Reuters”.
Vendimi i Erdoganit, i bërë publik para samitit të NATO-s në Lituani, u pasua shpejt nga një deklaratë e Shteteve të Bashkuara se Uashingtoni do ta çojë përpara shitjen e aeroplanëve luftarakë F-16 në Turqi, në konsultime me Kongresin.
Kanadaja, anëtare e NATO-s, është pajtuar për t’i rihapur bisedimet për largimin e kontrollit të eksportimit të pjesëve të dronëve, përfshirë pajisjet optike, tha personi i afërt me bisedimet, duke refuzuar që të identifikohej, sepse nuk ishte i autorizuar për t’i diskutuar hollësitë me media.
Kanadaja e pezulloi eksportimin e disa pjesëve të dronëve në Turqi më 2020, pasi kishte arritur në konkluzionin që ato pajisje ishin përdorur nga forcat azere gjatë luftës me forcat armene gjatë luftës për enklavën e Nagorno-Karabakut.
Këto masa për kontrollimin e eksportit, të cilat “ishin vendosur për arsye të rëndësishme”, mbeten në fuqi, thuhet në një deklaratë të zyrës së kryeministrit kanadez, Justin Trudeau.
“Kryeministri e diskutoi pranimin e Suedisë në NATO me partnerët tanë në Vilnius, përfshirë presidentin Erdogan”- thuhet në deklaratë.
“Kanadaja mbetet e përkushtuar ndaj parimit se nuk duhet të ketë kufizime, pengesa ose sanksione ndaj tregtisë dhe investimeve në mbrojtje në mesin e Aleatëve”- thuhet më tej.
Personi i afërt me bisedimet tha se para samitit të NATO-s, Turqia kishte kërkuar që kontrolli i eksporteve nga Kanadaja të futej në diskutimet përfundimtare, duke shtuar se Ankaraja kërkoi “marrëveshje pako”.
