EDF-ja franceze po kërkon saldues profesionistë për reaktorët e saj bërthamorë - NACIONALE

EDF-ja franceze po kërkon saldues profesionistë për reaktorët e saj bërthamorë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjiganti francez i energjisë, EDF, po synon që të rekrutojë një gjeneratë të re të salduesve, rregulluesve të gypave e të boilerave për t’i ndrequr reaktorët bërthamor në vjetrim e sipër dhe për të ndërtuar më shumë të tillë, kur kriza energjetike e Evropës po e rikthen lakminë për energjinë bërthamore.

Problemi është se në Francë ka mungesë të punëtorëve të tillë të kualifikuar. Aq shumë, saqë EDF-ja, e cila njihet për vonesa e tejkalim të kostove gjatë ndërtimit të centraleve bërthamore, u detyrua që të sillte me aeroplan 100 sosh nga Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, njoftoi vetë kompania këtë muaj.

Ndërmarrja, që është në procesin e shtetëzimit të plotë, po garon me kohën për t’u siguruar që centralet e saj të funksionojnë me kapacitet të plotë gjatë dimrit. Prodhimi i energjisë këtë vit ka rënë në nivelin më të ulët në tri dekadat e fundit për shkak të shifrës rekorde të ndërprerjeve, raporton agjencia “Reuters”.

Nuk ka të bëjë vetëm me ngrohjen e shtëpive e banesave në Francë e në vende të tjera evropiane gjatë muajve më të ftohtë: prodhimi më i ulët këtë vit parashikohet që ta lërë kompaninë pa 32 miliardë euro fitim të vitit 2022, duke e vënë në rrezik stabilitetin financiar të saj.

Kur EDF-ja është në borxhe për ndërtimin e të paktën gjashtë reaktorëve të gjeneratës së re gjatë 25 viteve të ardhshme, investim i përgjithshëm prej rreth 52 miliardë eurosh, kompania me ngut po e zgjeron fushatën për rekrutim në mbarë Francën.

EDF-ja e bashkëfinancoi hapjen e një qendre të trajnimit për saldues në Normandi muajin e kaluar. Këtë vit u pranuan 40 studentë, ndërsa shifra pritet të shkojë në 200 nga viti i ardhshëm, përcjell gazeta Nacionale.

Këta numra, megjithatë, janë si një pikë ujë në oqean. EDF-ja vlerëson se industria bërthamore e Francës ka nevojë që të rekrutojë nga 10 mijë deri në 15 mijë punëtorë në vit gjatë shtatë viteve të ardhshme.

Vetëm kjo kompani duhet të gjejë tre mijë punëtorë të rinj në vit gjatë kësaj periudhe – ose 15 për qind e fuqisë punëtore që tash për tash është e angazhuar në centralet e aj bërthamore – dukshëm më shumë se shifra prej 2,500 punëtorësh të rinj në vit gjatë periudhës 2019 – 2022.

Kompania synon që të punësojë një mijë saldues deri në vitin 2030, dyfish më shumë se numri i salduesve që i ka sot.

Franca, si vende të tjera perëndimore, për një kohë të gjatë është ballafaquar me mospërputhje të kualifikimeve të fuqisë punëtore me kërkesat e tregut të punës. Pavarësisht nga shkalla relativisht e lartë e papunësisë, industritë e prodhimit, ndërtimtarisë, inxhinierisë dhe teknologjisë së informacionit ankohen se nuk mund t’i marrin punëtorët që u nevojiten.

Lajme të ngjashme