Australia do ta rrisë numrin e imigrantëve, ka mungesë të punëtorëve - NACIONALE

Australia do ta rrisë numrin e imigrantëve, ka mungesë të punëtorëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rreth 35.000 njerëz më shumë do të mund të imigrojnë në mënyrë të përhershme në Australi këtë vit, pasi qeveria e kryeministrit Albanese njoftoi për rritjen e numrit maksimal të imigrantëve në 195.000.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Clare O’Neil, e bëri të ditur vendimin të premten, në ditën e dytë të samitit për shkathtësi dhe vende pune, duke premtuar se kjo masë do të sjellë mijëra inxhinierë e infermierë për ta lehtësuar mungesën e punëtorëve, shkruan "The Guardian".

Qeveria e kryeministrit Albanese gjithashtu njoftoi për disa masa për shkurtimin e kohës së pritjes për vizë dhe për luftimin e shfrytëzimit të punëtorëve imigrues në mënyrë jo të duhur.

Ministri i Imigrimit, Andrew Giles, tha se qeveria do të shpenzojë 36.1 milionë dollarë për të punësuar 500 punëtorë në Departamentin e Punëve të Brendshme për t’i trajtuar më shpejt aplikacionet për viza. Grumbulli i tyre ka shkuar në 900.000.

Bizneset dhe kryeministrat rajonalë i mirëpritën këto masa. Udhëheqësi i opozitës, Peter Dutton, u pajtua se “numri duhet të jetë më i lartë”, por pyeti nëse “shifrat aktuale” do ta arrijnë kufirin dhe e theksoi ndikimin ndaj tregut të ngushtë të strehimit.

Ministrja O’Neil tha në samit se ka përkrahje pothuajse universale për rritjen e shifrave të imigrantëve, duke theksuar se Partia e Punës do të largohet “nga përqendrimi tek imigrantët afatshkurtër drejt përhershmërisë, shtetësisë dhe ndërtimit të kombit”.

Rreth 34.000 vende nga 195.000 sosh për vitin financiar 2022/23 do të jenë në rajone, që përbën rritje prej 9.000 personash, tha O’Neil.

Ajo u zotua se të diplomuarit ndërkombëtarë do të mund të qëndrojnë dhe të punojnë më gjatë në Australi. O’Neil gjithashtu tha se vendimi për largimin e kufizimeve për punëtorët e përkohshëm në Australi, masë kundër pandemisë, do të zgjatet deri në qershorin e vitit 2023.

“Ne kemi nevojë që kjo të vazhdojë përderisa kriza e shkathtësive është kaq akuze, por gjithashtu kemi nevojë që kjo të përfundojë”, tha ajo.

Bizneset e mirëpritën rritjen e numrit të imigrantëve që do të lejohen në Australi. Shefi ekzekutiv i Odës Ekonomike të Australisë, Andrew McKellar, tha se ky është një vendim shumë i mirë dhe hap i rëndësishëm përpara.

Ministri Giles tha në samit se masat e qeverisë për ta rritur kapacitetin e shqyrtimit të aplikacioneve për vizë tashmë e kanë ulur numrin e personave që janë duke pritur nga gati një milion në 900.000, përderisa koha mesatare e pritjes për vizë nga personat e kualifikuar në korrik ka rënë nga 53 në 42 ditë.

Kryeministri i Uellsit të Ri Jugor, Dominic Perrottet, i përkrahi masat e qeverisë qendrore, duke thënë në samit se Australia duhet të veprojë shpejt, pasi koha e pritjes për vizë në vende të krahasueshme si Kanadaja është me javë, jo me muaj./Nacionale

Lajme të ngjashme