E rrallë: Skandal milionësh i korrupsionit në Japoni, katër ministra japin dorëheqje
Katër ministra të kabinetit qeveritar të Japonisë dhanë dorëheqje të enjten për shkak të një skandali për grumbullimin e fondeve, ku është përfshirë grupi më i fuqishëm i partisë në pushtet.
Më shumë se 500 milionë jenë (3,4 milionë dollarë) dyshohet se kanë përfunduar në fonde për ryshfet gjatë një periudhe pesëvjeçare – nga viti 2017 deri më 2022, raporton televizioni BBC.
Gazeta “Nikkei” raportoi se prokurorët në Tokio kanë nisur një hetim për korrupsion. Kjo është goditja më e re ndaj qeverisë gjithnjë më të papopullarizuar të kryeministrit Fumio Kishida, përkrahja për të cilën ka rënë me të madhe.
Përkrahja publike për Partinë Demokratike Liberale, e cila ka qenë në pushtet pothuajse vazhdimisht nga viti 1955, ra për herë të parë nën 30 për qind që nga viti 2012, sipas një ankete të televizionit NHK të martën.
Votuesit janë të zemëruar për shkak të inflacionit dhe për shkak të trajtimit të skandaleve të mëhershme nga kryeministri Kishida.
Kryesekretari i Kabinetit dhe zëdhënësi kryesor qeveritar, Hirokazu Matsuno, që është parë shpesh si dorë e djathtë e Kishidës, ishte figura më e njohur në mesin e katër ministrave që kanë dhënë dorëheqje. Këtë veprim e ndërmorën edhe ministrat e Ekonomisë dhe Industrisë, Punëve të Brendshme e Bujqësisë, Yasutoshi Nishimura, Junji Suzuku e Ichiro Miyashita.
Zëvendësimi i tyre pritet të njoftohet në fund të ditës së enjte. Për më tepër, dorëheqje kanë dhënë edhe pesë zëvendësministra e zëvendësministra parlamentarë nga grupi i njëjtë politik, që dikur udhëhiqej nga ish-kryeministri Shinzo Abe.
Kryeministri Kishida, i cili erdhi në pushtet në tetor të vitit 2021, tha të mërkurën se do të merret drejtpërdrejt me akuzat për korrupsion.
Grupi politik dyshohet se nuk kishte raportuar qindra miliona jenë si pjesë e të ardhurave për grumbullimin e fondeve.