E rrallë: Parregullsi në Berlin “t’Ult”, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë vendos për rivotim - NACIONALE

E rrallë: Parregullsi në Berlin “t’Ult”, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë vendos për rivotim

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Mund të keni dëgjuar për parregullsi gjatë votimit në Abri të Ulët, por këto probleme duket se ndodhin edhe në vende perëndimore. Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë të martën mori vendim për përsëritje të pjesshme të zgjedhjeve federale të vitit 2021 në Berlin.

Ky vendim mund ta prekë lehtë përbërjen e Kuvendit, por nuk pritet që ta cenojë shumicën e koalicionit qeverisës, raporton agjencia “Reuters”.

Gjykata vendosi për rivotim në 455 distrikte zgjedhore të Berlinit, nga 2.256 sa janë gjithsej, për shkak të parregullsive. Parlamenti tashmë kishte urdhëruar përsëritje të votimit në 431 distrikte, por konservatorët e opozitës kishin dashur rivotim shumë më të gjerë, duke dorëzuar ankesë në gjykatë.

Stefan Marschall, profesor i shkencave politike në Universitetin e Dyzeldorfit, tha se rivotimi ka pak gjasa që ta prekë shumicën e koalicionit të kancelarit Olaf Scholz.

“Pasojat do të jenë shumë të menaxhueshme”- tha Thorsten Faas, hulumtues i shkencave politike në Universitetin Freie të Berlinit. “Disa kandidatë do të lëvizin mes partive, por është pothuajse e pamundshme që Linke të humbë njërin nga dy mandatet e drejtpërdrejta në Berlin”- tha ai.

Gjatë zgjedhjeve të vitit 2021 ishin regjistruar probleme në Berlin, ku mungesa e kutive të votimit kishte shkaktuar radhë të gjata e pauza në qendrat e votimit, disa prej të cilave ishin detyruar të qëndronin hapur deri vonë për ta mundësuar votimin e qytetarëve.

Atë ditë në Berlin ishin mbajtur tri lloje të zgjedhjeve – zgjedhjet federale, rajonale dhe lokale – si dhe një referendum e një maratonë në qytet, që e kishte përkeqësuar kaosin për shkak të mbylljes së rrugëve. Për më tepër, atë kohë ishin ende në fuqi disa kufizime kundër pandemisë së koronavirusit.

Lajme të ngjashme