“E pakapshme”: Gjermania e ashpërson tonin ndaj Izraelit, Merzi kritikon fushatën në Gaza
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, të martën e shprehu qortimin e tij më të ashpër ndaj Izraelit deri më tani, duke thënë se sulmet masive ajrore në Gaza nuk justifikohen më me nevojën për të luftuar kundër Hamasit dhe “nuk janë më të kapshme”.
Kjo porosi, e përçuar nga një konferencë për shtyp në Finlandë, pasqyron një ndryshim më të gjerë në opinionin publik, por gjithashtu një gatishmëri më të lartë nga politikanët gjermanë të rangut të lartë për ta kritikuar sjelljen e Izraelit që nga sulmet e Hamasit në këtë shtet më 7 tetor 2023, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Sulmet masive ushtarake nga izraelitët në Rripin e Gazës nuk zbulojnë më ndonjë logjikë tek unë. Si i shërbejnë ato qëllimit të kundërvënies ndaj terrorit… Në këtë aspekt, unë e shoh këtë në mënyrë shumë, shumë kritike” – tha kancelari gjerman në qytetin Turku të Finlandës.
“Unë gjithashtu nuk jam në mesin e atyre që e thanë këtë për herë të parë… por më është dukur dhe më duket se ka ardhur koha që unë ta them publikisht, ajo që është duke ndodhur aktualisht nuk është më e kapshme” – shtoi Merzi.
Komentet e tij janë posaçërisht goditëse, thekson agjencia “Reuters”, duke e marrë parasysh faktin se Merzi i fitoi zgjedhjet në shkurt duke premtuar se do ta priste në Gjermani kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, përkundër një urdhërarresti të lëshuar kundër tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP).
Kancelari gjerman planifikon që të flasë me Netanyahun këtë javë, përderisa nga sulmet në Gaza u vranë dhjetëra njerëz ditëve të fundit, ndërsa popullsia prej dy milionë banorësh ballafaqohet me rrezikun e vdekjes nga uria.
Merzi nuk iu përgjigj një pyetjeje rreth eksportimit të armëve gjermane në Izrael dhe një zyrtar qeveritar tha se kjo është çështje e një këshilli të sigurisë, i cili gjithashtu kryesohet nga kancelari./Nacionale