E konfirmon “Air India”: Një i mbijetuar nga rrëzimi i avionit, 241 të vdekur - NACIONALE

E konfirmon “Air India”: Një i mbijetuar nga rrëzimi i avionit, 241 të vdekur

1 muaj më parë

nga NACIONALE

“Air India” ka konfirmuar se nga 242 pasagjerët që ndodheshin në aeroplanin që u rrëzua sot në Ahmedabad, një ka shpëtuar.

Siç raporton “CNN”, i mbijeturi i vetëm është një shtetas britanik me origjinë nga India, transmeton Nacionale.

“Me keqardhje ju njoftojmë se nga 242 pasagjerët, ka 241 vdekje të konfirmuara. I mbijetuari i vetëm po trajtohet në një spital”.

Në aeroplan ndodheshin 230 pasagjerë dhe 12 pjesëtarë të ekuipazhit.

169 nga pasagjerët kanë qenë shtetas indian, 53 britanik, shtatë portugezë dhe një kanadez.

Aeroplani i rrëzuar kishte motorë të prodhuesit “GE Aerospaces”. Vlera e aksioneve të kompanisë ra për rreth 5 për qind, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sipas një raporti të televizionit “CNN News-18”, aeroplani ra mbi zonën e ngrënies të bujtinës së Kolegjit Mjekësor B.J., duke lënë të vdekur shumë studentë të mjekësisë që ndodheshin brenda objektit.

Ekspertët thonë se aksidentet ajrore shkaktohen nga shumë faktorë që bëhen bashkë dhe se është ende shumë herët që të spekulohet për shkaktarin e rrëzimit të aeroplanit të kompanisë “Air India”.

Sipas rregullave globale të aviacionit, aksidenti do të hetohet nga agjencia indiane për aksidente ajrore, me përkrahje automatike nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit në Shtetet e Bashkuara, ku janë dizajnuar dhe prodhuar motorët GE të aeroplanit.

Duke u mbështetur në raportet e aksidenteve të mëparshme, hetuesit me gjasë do t’i analizojnë disa faktorë, përfshirë historinë e fluturimit, gjendjen e mbetjeve, përfshirë motorin, të dhënat e mirëmbajtjes dhe veprimet e ekuipazhit, si dhe të dhënat nga kutitë e zeza, gjetja e të cilave do të jetë njëri nga prioritetet kryesore.

Lajme të ngjashme