E konfirmojnë amerikanët: Aeroplani kinez i Pakistanit rrëzoi dy aeroplanë luftarakë indianë
Një aeroplan luftarak i forcave ajrore të Pakistanit, i prodhimit kinez, rrëzoi të paktën dy aeroplanë luftarakë të Indisë të mërkurën, i thanë dy zyrtarë amerikanë agjencisë së lajmeve “Reuters”, duke shënuar një hap të rëndësishëm për aeroplanin e avancuar luftarak kinez.
Një zëdhënës i forcave ajrore të Indisë tha se nuk ka koment, kur u pyet për raportin e agjencisë “Reuters”.
Performanca e një aeroplani luftarak kyç të Kinës kundër një aeroplani rival perëndimor po përcillet për së afërmi në Uashington në lidhje me atë se si Kina mund t’ia dalë në ndonjë konflikt për Tajvanin ose në rajonin më të gjerë të Indo-Paqësorit.
Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se ka besim të lartë se Pakistani e ka përdorur aeroplanin luftarak kinez të tipit J-10 për të hedhur raketa ajër – ajër kundër aeroplanëve luftarakë të Indisë, duke rrëzuar të paktën dy prej tyre.
Një zyrtar tjetër tha se të paktën njëri nga aeroplanët e rrëzuar ishte i tipit “Rafale” i prodhimit francez.
Të dy zyrtarët thanë se aeroplanët pakistanezë të tipit F-16 të prodhimit amerikan nuk ishin të përfshirë në rrëimin e aeroplanëve të forcave ajrore të Indisë.
India nuk e ka pranuar zyrtarisht humbjen e ndonjë aeroplani dhe, në vend të kësaj, ka thënë se ka kryer sulme të suksesshme kundër asaj që e ka quajtur infrastrukturë “terroriste” brenda Pakistanit.
Në Francë, prodhuesi i aeroplanëve “Rafale”, “Dassault Aviation”, dhe konsorciumi MBDA, i cili i prodhon raketat ajër – ajër të tipit “Meteor”, nuk mund të arriheshin menjëherë për koment në një ditë që është festë publike.
Përderisa agjencia “Reuters” raportoi të mërkurën se tre aeroplanë indianë ishin rrëzuar, duke cituar zyrtarë të qeverisë lokale në Indi, kjo e shënon konfirmimin e parë nga Perëndimi që aeroplanët kinezë të Pakistanit ishin të përfshirë në rrëzimin e aeroplanëve të Indisë.
Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khawaja Muhammad Asif, i tha agjencisë “Reuters” të enjten se aeroplani i prodhimit kinez J-10 u përdor për të rrëzuar tre aeroplanë luftarakë “Rafale” të prodhimit francez, të cilët India i kishte blerë rishtazi./Nacionale