Dyshohet se hakerët e Koresë Veriore mund të kenë vjedhur të dhëna rreth një arme me laser - NACIONALE

Dyshohet se hakerët e Koresë Veriore mund të kenë vjedhur të dhëna rreth një arme me laser

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia e Koresë Jugore është duke zhvilluar një hetim nëse një grup i hakerëve nga Koreja Veriore, i akuzuar për vjedhjen e të dhënave të 14 entiteteve, kanë siguruar të dhëna për fushën e mbrojtjes, përfshirë një laser kundërajror, tha të mërkurën një zyrtar policor në Seul.

Përmes këtij hetimi, i cili po zhvillohet në bashkëpunim me Byronë Federale të Hetimeve (FBI) të ShBA-së, po bëhen përpjekje për ta përcaktuar sasinë e të dhënave të siguruara nga grupi i njohur me emrin “Andariel”, tha Jeong Jin-ho, i cili udhëheq një ekip në Agjencinë e Policisë Metropolitane në Seul, që po e heton rastin, raporton agjencia “Reuters”.

Në vitin 2019, Departamenti i Thesarit i ShBA-së e kishte futur grupin “Andariel” në listën e grupeve hakuese të sponsorizuara nga shteti në Korenë Veriore. Sipas Departamentit të Thesarit, ky grup është i përqendruar në operacione kibernetike dashakëqija ndaj bizneseve, agjencive qeveritare e industrisë së mbrojtjes të vendeve të huaja.

Mediat lokale raportuan këtë javë se në grumbullin e të dhënave të siguruara nga hakerët e Koresë Veriore ka sekrete kyçe të mbrojtjes të Koresë Jugore.

Në mesin e entiteteve të shënjestruara ishin kompanitë e mbrojtjes, institutet hulumtuese dhe kompanitë farmaceutike të Koresë Jugore, sipas një deklarate të mëhershme të policisë, në të cilën shtohet se rreth 250 dosje ose 1,2 terabajt me të dhëna janë marrë nga hakerët.

Policia tha se grupi i Koresë Veriore kishte qasje 83 herë në një server prokurë të ndërtuar prej tij në një distrikt të kryeqytetit Penjan mes dhjetorit dhe marsit të kaluar.

Serveri ishte përdorur për të pasur qasje në uebfaqe të kompanive e institucioneve dhe grupi kishte shfrytëzuar një shërbim “hostimi” të Koresë Jugore, që u jep serverë me qira klientëve të paidentifikuar.

Grupi gjithashtu ka zhvatur kriptovaluta “Bitcoin” me vlerë të mbi 357 mijë dollarëve nga tri kompani të huaja e të Koresë Jugore gjatë sulmeve kibernetike, tha policia.

Hakerët e Koresë Veriore janë fajësuar për sulme kibernetike me vlerë të miliona dollarëve, edhe pse Penjani më parë ka mohuar se është i përfshirë në krime kibernetike.

Lajme të ngjashme