Dyshime për korrupsion e ikje të burrave nga vendi, shkarkohen shefat e rekrutimit në Ukrainë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e njoftoi të premten shkarkimin e udhëheqësve të të gjitha qendrave rajonale të rekrutimit ushtarak pas shqetësimeve për korrupsion.
Zelensky tha se një rishikim i qendrave të rekrutimit ka zbuluar shenja të abuzimit profesional, duke nisur nga pasurimi i paligjshëm deri te transportimi i burrave të kualifikuar për rekrutim matanë kufirit pavarësisht se kjo gjë është ndaluar në kohë lufte, raporton agjencia “Reuters”.
“Ky sistem duhet të drejtohet nga njerëz që dinë saktësisht se çfarë është lufta dhe pse cinizmi e ryshfeti gjatë luftës janë tradhti”- tha Zelensky në një deklaratë.
Kievi e ka bërë shtypjen e ryshfetit prioritet kyç gjatë luftës kundër pushtimit rus dhe gjatë synimit për t’u anëtarësuar në Bashkim Evropian.
Zelensky tha se komandanti i ushtrisë, Valery Zaluzhny, do të jetë përgjegjës për zbatimin e vendimit dhe se kandidatët e rinj për këto pozita së pari do t’i nënshtrohen vetingut nga shërbimi ukrainas për siguri të brendshme, SBU.
Ukraina është ballafaquar me sfida të rekrutimit, kur lufta me Rusinë po i afrohet periudhës prej një viti e gjysmë që ka nisur dhe ushtria është përfshirë kohë pas kohe nga skandalet e ryshfetit ose taktikat e ngathëta të rekrutimit.
