Dy shtete afrikane paralajmërojnë luftë, nëse presidenti i Nigerit kthehet me forcë
Qeveritë ushtarake të Malit dhe Burkina Fasos kanë thënë se çfarëdo përpjekje me forcë për ta kthyer në pushtet presidentin Mohamed Bazoum në Niger do të shihet si shpallje e luftës ndaj tyre.
Reagimi i këtyre shteteve erdhi pas kërcënimit nga një bllok rajonal se ky institucion do t’i ndërmerret “të gjitha masat”, nëse presidenti nuk kthehet në pushtet, raporton televizioni BBC.
Mali dhe Burkina Faso i kanë prishur lidhjet me Perëndimin, sidomos me Francën, dhe kanë zgjedhur aleancë të re me Rusinë.
Deklarata e tyre shënon një kthesë domethënëse që mund të sjellë eskalim të situatës së brishtë në rajon.
Presidenti i Çadit, Mahamat Idris Deby, ka shkuar në Niger për t’i udhëhequr përpjekjet për ndërmjetësim ne emër të bllokut të vendeve të Afrikës Perëndimore, Ecowas, për ta zgjidhur krizën.
Në deklaratën e tyre të përbashkët, Mali dhe Burkina Faso kërcënuan se, nëse blloku Ecowas do të ndërhynte ushtarakisht, ato do të tërhiqeshin nga kjo organizatë dhe do t’i dilnin në mbrojtje Nigerit. Këto shtete thanë se një ndërhyrje e tillë do të ishte katastrofale dhe destabilizuese.
Burkina Faso, Mali dhe Guinea tash për tash janë të pezulluara nga blloku Ecowas pas puçeve që kanë ndodhur në këto shtete viteve të fundit.
Të dielën, Ecowas-i i dha qeverisë ushtarake në Niger një javë kohë për ta kthyer në pushtet presidentin e zgjedhur, i cili është duke u mbajtur në pallatin presidencial në kryeqytetin e vendit, Niamey.
Qeveria ushtarake nuk e ka komentuar kërkesën, por është zotuar se do ta mbrojë vendin nga çfarëdo “agresioni” nga fuqitë rajonale ose perëndimore, duke e akuzuar Francën se ka planifikuar ndërhyrje ushtarake.
Franca as nuk e ka konfirmuar, as nuk e ka mohuar këtë pretendim. Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Francës tha se autoriteti i vetëm që njihet në Niger është autoriteti i presidentit Bazoum.
