Dy shkencëtarë amerikanë e fitojnë Çmimin Nobel për Mjekësi
Shkencëtarët Victor Ambros dhe Gary Ruvkun e kanë fituar Çmimin Nobel për Mjekësi për zbulimin e mikro-ARN-së dhe rolin e saj në rregullimin e gjeneve, tha të hënën asambleja e Nobelit.
Asambleja tha në një deklaratë se laureatët e zbuluan klasën e re të molekulave të vogla të ARN-së, që luajnë rol jetik në rregullimin e gjeneve, raporton agjencia “Reuters”.
“Zbulimi i tyre novator zbuloi një parim tërësisht të ri të rregullimit të gjeneve që doli të ishte thelbësor për organizmat shumëqelizorë, përfshirë njerëzit” – tha asambleja.
Fituesit e Çmimin Nobel për Mjekësi përzgjidhen nga Asambleja e Nobelit e universitetit mjekësor, Instituti Karolinska, dhe marrin një shumë të hollash prej rreth 1,1 milion dollarësh.
Si çdo vit tjetër, Nobeli për Mjekësi është çmimi i parë që ndahet në vargun e shpërblimeve, dukshëm më prestigjiozet për shkencë, letërsi dhe arritje njerëzore. Pesë shpërblime të tjera do të ndahen ditëve të ardhshme.