Dy marinsa amerikanë akuzohen se kanë spiunuar për Kinën, mund të dënohen rëndë - NACIONALE

Dy marinsa amerikanë akuzohen se kanë spiunuar për Kinën, mund të dënohen rëndë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy pjesëtarë të forcave detare amerikane në Kaliforni janë arrestuar nën akuzat se i kanë ofruar Kinës të dhëna të ndjeshme ushtarake.

Jinchao Wei, 22 vjeç, qytetar i natyralizuar amerikan, akuzohet për konspiracion për t’i dërguar të dhëna të mbrojtjes kombëtare një agjenti kinez, raporton televizioni BBC.

Wenheng Zhao, 26 vjeç, është arrestuar nën akuzat për pranim të parave në këmbim të fotografive e videove. Nuk është e qartë nëse dy pjesëtarët e forcave detare janë kontaktuar nga agjenti i njëjtë kinez.

Të dy ushtarët u arrestuan të mërkurën në Kaliforni, njëri derisa ishte rrugës për në punë në bazën detare në San Diego.

Prokurorët i publikuan akuzat gjatë një konference për gazetarë të enjten. Ata thanë se Wei kishte miratim sigurie dhe kishte qasje në të dhëna të ndjeshme për anijen sulmuese “USS Essex”.

Dyshohet se ai ishte kontaktuar nga një agjent kinez në shkurtin e vitit të kaluar, përderisa po i nënshtrohej procesit për t’u bërë shtetas i ShBA-së.

Në aktakuzë thuhet se Wei është paguar me mijëra dollarë për fotografi, video, udhëzime teknike e plane të anijes. Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë thanë se Wei i ka dhënë agjentit kinez hollësi për marinsat që ishin pjesë e një ushtrimi detar.

“Kur një ushtar ose detar i zgjedh paratë e gatshme para vendit dhe dorëzon të dhëna të mbrojtjes kombëtare në një akt themelor të tradhtisë, ne duhet të jemi të gatshëm për të vepruar”- tha prokurori amerikan, Randy Grossman.

Ushtari Zhao, sipas autoriteteve amerikane, është paguar me gati 15 mijë dollarë për fotografi, video, diagrame e plane për një sistem radarësh të vendosur në një bazë ushtarake në Japoni.

Nëse shpallen fajtorë, Wei mund të dënohet me 20 vite burgim deri në burgim të përjetshëm, ndërsa Zhao maksimalisht me 20 vite burgim.

Lajme të ngjashme