ShBA-ja dënon me tetë vite burgim një inxhinier kinez për spiunazh
Një inxhinier kinez është dënuar me tetë vite burgim për spiunim në Shtetet e Bashkuara. Rasti i tij ishte i lidhur me përpjekjet e Kinës për të vjedhur sekrete të tregtisë së aviacionit.
Ji Chaoqun, 31 vjeç, kishte identifikuar shkencëtarë dhe inxhinierë për rekrutim të mundshëm, sipas Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara.
Kinezi ishte bërë pjesë edhe e forcave rezervë në ushtrinë amerikane dhe i kishte gënjyer rekrutët, raporton televizioni BBC.
Autoritetet amerikane kanë thënë se Ji kishte punuar nën direktivat e një njësiti kyç të inteligjencës shtetërore kineze.
Në shtatorin e vitit të kaluar, ai u dënua për veprim si agjent i një qeverie të huaj pa e njoftuar prokurorin e përgjithshëm të ShBA-së – akuzë që përdoret në rastet e spiunazhit – dhe për dhënie të deklaratave të rreme në ushtrinë amerikane.
Ji kishte shkuar në ShBA përmes një vize për studentë para një dekade, sipas një deklarate të Departamentit të Drejtësisë.
Ai u akuzua për furnizimin e Ministrisë për Siguri Shtetërore në provincën Jiangsu me të dhëna për tetë individë për rekrutim të mundshëm.
Këta persona janë shtetas të natyralizuar amerikanë, të cilët kanë prejardhje nga Kina ose Tajvani. Disa prej tyre punojnë si kontraktorë të mbrojtjes në ShBA.
Ji ishte bërë pjesë e ushtrisë rezervë në ShBA më 2016 si pjesë e një programi për rekrutimin e shtetasve të huaj me shkathtësi që cilësohen jetime për interesin kombëtar. Ai kishte gënjyer në aplikacion dhe në një intervistë se nuk kishte kontakte me ndonjë qeveri të huaj në shtatë vitet e fundit, sipas zyrtarëve amerikanë.
Ai u arrestua në shtatorin e vitit 2018, pasi ishte takuar me një agjent të fshehtë të sundimit të ligjit në ShBA, i cili ishte paraqitur si përfaqësues i Ministrisë për Siguri Shtetërore të Kinës.
Gjatë takimeve me të, Ji kishte treguar se me identitetin ushtarak mund të vizitonte dhe t’u bënte fotografi aeroplanmbajtëseve. Ai shtoi se posa t’i siguronte shtetësinë amerikane dhe dritën e gjelbër të sigurisë, do të kërkonte punë në CIA, FBI ose NASA.
Kinezi synonte që të bënte punë të sigurisë kibernetike në njërën nga këto agjenci në mënyrë që të kishte qasje në të gjitha bazat e të dhënave, përfshirë njërën që përmban hulumtime shkencore, sipas zyrtarëve amerikanë.