Studim: Dremitja e rregullt lidhet me shtypjen e lartë të gjakut dhe goditjen në tru
Njerëzit që koten shpesh mund të kenë rrezik më të lartë nga shtypja e lartë e gjakut dhe goditja në tru, sipas një studimi të gjerë.
“Kjo mund të jetë kështu për shkak se, ndonëse dremitja në vete nuk është e dëmshme, shumë njerëz që koten, mund ta bëjnë këtë për shkak të gjumit të dobët natën. Gjumi i dobët natën është i lidhur me shëndet më të dobët dhe dremitja nuk mjafton për ta plotësuar këtë”, tha psikologu klinik, Michael Grandner.
Pjesëmarrësit e studimit, që zakonisht u kotën gjatë ditës, kishin 12 për qind më shumë gjasë për të pasur shtypje të lartë të gjakut me kalimin e kohës dhe 24 për qind më shumë gjasë për të pasur goditje në tru në krahasim me njerëzit që nuk u kotën asnjëherë, shkruan "CNN".
Nëse personi ishte më i ri se 60 vjeç, dremitja në shumicën e ditëve e rriti rrezikun për zhvillim të shtypjes së lartë të gjakut për 20 për qind në krahasim me njerëzit që u dremitën rrallë ose kurrë, sipas studimit të publikuar të hënën në revistën “Hypertension”, që publikohet nga Shoqata Amerikane e Zemrës. Kjo shoqatë e shtoi rishtazi kohëzgjatjen e gjumit si njërën nga tetë matjet thelbësore për zemër dhe tru të shëndoshë.
Rezultatet mbetën të sakta edhe pas përjashtimit të personave me rrezik të lartë nga shtypja e lartë e gjakut, si ata me diabet të tipit 2, ata me shtypje tashmë të lartë të gjakut, me nivel të lartë të kolesterolit, me çrregullime të gjumit dhe personat që punonin në ndërrimin e natës.
“Rezultatet tregojnë që kotja e rrit shfaqjen e shtypjes së lartë dhe goditjes në tru, pas përshtatjes ose shqyrtimit të shumë madhësive të ndryshueshme të njohura si të lidhura me rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe goditje në tru”, tha Dr. Phyllis Zee, drejtore e Qendrës për Mjekësi të Gjumit në Shkollën Feinberg të Mjekësisë në Çikago.
Kotja e gjatë është më e keqe
Në studim u analizuan të dhënat nga 360.000 pjesëmarrës që kishin dhënë informata për shprehinë e tyre të dremitjes në një bazë britanike të të dhënave.
Njerëzit në studimin britanik dhanë mostra të gjakut, urinës dhe pështymës rregullisht dhe iu përgjigjën pyetjeve për kotjen katër herë gjatë studimit katërvjeçar.
“Ata nuk e përcaktuan atë se çfarë është kotja. Nëse do të flesh një orë, dy orë, për shembull, kjo nuk është kotje”, tha specialisti i gjumit, Dr. Raj Dasgupta, profesor i asocuar i mjekësisë klinike në Shkollën e Mjekësisë Keck në Universitetin e Kalifornisë Jugore.
“Një kotje për freskim të fuqisë, që është 15 deri në 20 minuta rreth mesditës deri në orën 14, është 100 për qind mënyra e duhur, nëse je i privuar nga gjumi. Nëse ke pagjumësi kronike, ne nuk e inkurajojmë kotjen, sepse ajo e largon shtysën për të fjetur natën”, shtoi ai./Nacionale