Draghi në Shtëpinë e Bardhë: Prioritet i Italisë është paqja në Ukrainë
Prioriteti i Italisë dhe Evropës është t'i japin fund masakrave dhe të arrihet paqja në Ukrainë, i ka thënë kryeministri Mario Draghi Presidentit Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë të martën, si pjesë e udhëtimit të tij tre-ditor, i pari që nga fillimi i mandatit të tij.
Të dy udhëheqësit diskutuan sanksionet kundër Rusisë. Ata folën gjithashtu për furnizimet me energji dhe armë në Ukrainë – dy çështje përçarëse në politikën e brendshme italiane.
Lufta në Ukrainë "i bëri lidhjet [midis Italisë dhe SHBA-së] më të forta dhe nëse Putin mendonte se mund të na ndante, ai dështoi," tha Draghi.
"Ne qëndrojmë së bashku duke dënuar pushtimin e Ukrainës," shtoi ai, duke iu referuar "masakrave" të kryera nga forcat ruse.
Draghi dhe Biden pritet të diskutojnë gjithashtu çështjet e energjisë, tha të martën gazeta Corriere della Sera. Uashingtoni është duke u mbështetur te Draghi për t’u siguruar që vendet anëtare të BE-së të mos ndahen në lidhje me gazin, naftën dhe ndihmën ushtarake.
Italia, nga ana e saj, ka nënshkruar tashmë marrëveshje energjetike me vende afrikane si Algjeria për të zëvendësuar naftën ruse. Italia po shikon gjithashtu kompanitë amerikane për të mbuluar furnizimin e saj afatmesëm dhe afatgjatë të gazit natyror të lëngshëm.
Për udhëtimin e tij në SHBA, Draghi-t iu bashkua edhe Claudio Descalzi, kreu i gjigantit italian të energjisë ENI.