Dosjet ruse: The Guardian shkruan për taktikat e Putinit në luftën kibernetike kundër botës - NACIONALE

Dosjet ruse: The Guardian shkruan për taktikat e Putinit në luftën kibernetike kundër botës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Operacionet ushtarake ruse është zbuluar se janë duke u ndihmuar nga një gjeneratë e re brenda një ndërtesë gjashtëkatëshe të kompanisë ruse NTC Vulkan, dhe jo me armë që i njohim por me mjete hakerimi dhe dezinformimi.

Në një artikull ekskluziv nga The Guardian, thuhet se në sipërfaqe kjo kompani duket si një konsulencë moderne për sigurinë kibernetike, megjithatë një rrjedhje e dosjeve sekrete nga ajo ka ekspozuar punën që bën për forcimin e aftësive të luftës kibernetike të presidentit rus Vladimir Putin.

Mijëra faqe dokumentesh sekrete kanë zbuluar se si inxhinierët e Vulkan kanë punuar për ushtrinë ruse dhe agjencitë e inteligjencës për të mbështetur operacionet e hakerëve, për të trajnuar operativët përpara sulmeve në infrastrukturën kombëtare, për përhapjen e dezinformatave dhe kontrollin e seksioneve të internetit.

Bëhet e ditur se puna e kësaj kompanie është e lidhur me shërbimin federal të sigurisë ose FSB, agjencinë vendase të spiunazhit; divizionet operative dhe inteligjente të forcave të armatosura, të njohura si GOU dhe GRU; dhe SVR, organizata e jashtme e inteligjencës ruse.

Raportohet se një nga dokumentet që ka rrjedhur lidh një mjet sulmi kibernetik të Vulkan me grupin famëkeq të hakerëve Sandworm, për të cilin qeveria amerikane ka thënë dy herë se ka shkaktuar ndërprerje në Ukrainë dhe në Lojërat Olimpike në Korenë e Jugut.

Është zbuluar edhe një sistem tjetër, i njohur si Amezit, që përbën një plan për mbikëqyrjen dhe kontrollin e internetit në rajonet nën komandën e Rusisë, dhe gjithashtu mundëson dezinformimin përmes profileve të rreme të mediave sociale.

Ndërkohë, një sistem i tretë i ndërtuar nga Vulkan - Crystal-2V - është një program trajnimi për operativët kibernetikë në metodat e kërkuara për të rrëzuar infrastrukturën hekurudhore, ajrore dhe detare. Një skedar që duket se shpjegon softuerin thotë: "Niveli i sekretit të informacionit të përpunuar dhe të ruajtur në produkt është "tepër sekret".

Raportohet se dosjet Vulkan, të cilat datojnë nga viti 2016 deri në vitin 2021, janë zbuluar nga një sinjalizues anonim i zemëruar nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Rrjedhje të tilla nga Moska janë jashtëzakonisht të rralla, por disa ditë pasi kishte nisur pushtimi në Ukrainë, ky burim i ishte drejtuar gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung, duke thënë se GRU dhe FSB "fshiheshin pas" kompanisë Vulkan.

Deri më tani pesë agjenci të inteligjencës perëndimore kanë konfirmuar se dosjet e Vulkan duket se janë autentike, ndërsa ende nuk ka pasur ndonjë koment nga kompania apo Kremlini.

Shkruhet se në dokumentet që kanë rrjedhur përfshihen emaile, dokumente të brendshme, plane projektesh, buxhete dhe kontrata. Gjithashtu, raportohet se ofrohen të dhëna mbi përpjekjet gjithëpërfshirëse të Kremlinit në fushën kibernetike, në një kohë kur ai është duke ndjekur një luftë brutale kundër Ukrainës.

Lajme të ngjashme