"Dorëzohet" Turqia, prokurori kërkon që rasti Khashoggi t’u transferohet sauditëve
Një prokuror turk kërkoi nga një gjykatë të enjten që ta ndalë procesin gjyqësor në mungesë për 26 të dyshuar sauditë për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi më 2018 në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll dhe ta transferojë rastin tek autoritetet saudite.
Gjykata tha se do ta kërkojë opinionin e Ministrisë së Drejtësisë për këtë kërkesë dhe e caktoi seancën e radhës për datën 7 prill, raporton agjencia “Reuters”.
Khashoggi, kritikues i Princit Mohammed bin Salman, i cili de fakto e udhëheq Arabinë Saudite, u pa për herë të fundit duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor 2018. Zyrtarët turq besojnë se trupi i tij është copëtuar dhe është larguar nga objekti. Mbetjet e tij nuk janë gjetur ende.
Në shtator të vitit 2020, një gjykatë saudite dënoi tetë persona me burgim prej shtatë deri 20 vjetësh për vrasjen e gazetarit. Kritikët thanë se gjykimit të këtyre personave i ka munguar transparenca. Asnjërit të të pandehurve nuk i është publikuar emri.
Pas gjykimit në Arabinë Saudite, gjykata turke i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë në nëntor që t’i dërgojë një letër Riadit për të pyetur rreth personave që janë dënuar atje me qëllim që të shmanget dënimi i dyfishtë i ndonjë individi.
Prokurori turk tha se autoritetet saudite u përgjigjën duke kërkuar që rasti t’u transferohet atyre dhe që të ashtuquajturat njoftime të kuqe për të pandehurit të tërhiqen.
Arabia Saudite gjithashtu u zotua se do t’i vlerësojë akuzat ndaj 26 të pandehurve, nëse rasti u transferohet autoriteteve të saj, tha prokurori turk.
Sipas tij, kërkesa saudite duhet të pranohet, sepse të pandehurit janë shtetas të huaj, fletarrestimet dhe njoftimet e kuqe nuk mund të ekzekutohen dhe deklaratat e tyre nuk mund të merren, duke e lënë rastin pezull.
Në një raport të inteligjencës amerikane, të publikuar para rreth një viti, thuhet se Princi Mohammed bin Salman e kishte miratuar operacionin për ta vrarë ose për ta kapur Khashoggin. Qeveria saudite e ka mohuar përfshirjen e udhëheqësit të saj dhe i refuzoi gjetjet e këtij raporti.
Princi saudit i tha këtë muaj revistës amerikane, “The Atlantic” se ndihet sikur të drejtat e tij janë shkelur nga akuzat kundër tij, pasi secili person duhet të cilësohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia.