Dorëhiqet shefi i grupit të ndihmave që përkrahet nga ShBA-ja në Gaza, thotë se s’i braktis parimet
Shefi i një organizate humanitare private që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe që është ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së ndihmave në Gaza duke përdorur një plan të nisur nga Izraeli dha dorëheqje të dielën, duke thënë se ky operacion nuk mund ta përmbushë misionin e vet në një mënyrë që do t’i respektonte “parimet humanitare”.
Drejtori ekzekutiv, Jake Wood, përmes një deklarate e njoftoi dorëheqjen e tij nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), duke shtuar paqartësi të re rreth së ardhmes së operacionit, raporton gazeta “The Guardian”.
Fondacioni, i cili e ka bazën në Gjenevë nga muaji shkurt, është zotuar për shpërndarjen e 300 milionë shujtave në 90 ditët e para të operacionit. Megjithatë, Kombet e Bashkuara dhe agjencitë tradicionale të ndihmave tashmë kanë thënë se nuk do të bashkëpunojnë me këtë grup, nga frika se shkelen “parimet themelore humanitare” dhe e drejta ndërkombëtare.
“Para dy muajve, unë u kontaktova për t’i udhëhequr përpjekjet e GHF-së për shkak të përvojës sime në operacione ndërkombëtare” – tha Wood në një deklaratë.
“Si shumë të tjerë përreth botës, unë isha i tmerruar dhe zemërthyer nga kriza e urisë në Gaza dhe, si udhëheqës humanitar, isha i detyruar që të bëja çfarëdo që mundja për ta ndihmuar lehtësimin e vuajtjeve” – shtoi ai.
Wood theksoi se ishte “krenar me punën që e mbikëqyra, përfshirë zhvillimin e një plani pragmatik që do të mund të ushqente njerëz të uritur, t’i adresojë shqetësimet e sigurisë rreth devijimit dhe ta plotësojë punën e OJQ-ve të vjetra në Gaza”.
Megjithatë, sipas tij, ishte bërë “e qartë se nuk është e mundshme që të zbatohet ky plan përderisa njëkohësisht të respektohen edhe parimet humanitare të humanizmit, neutralitetit, paanshmërisë dhe pavarësisë, të cilat unë nuk do t’i braktis.”
Në një deklaratë, bordi i fondacionit tha se ishte “i zhgënjyer” me largimin e Wood-it, por u zotua se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për të arritur te tërë popullsia e enklavës në javët e ardhshme.
“Kamionët tanë janë të mbushur dhe të gatshëm për të shkuar” – tha bordi, duke shtuar se GHF-ja do ta fillojë shpërndarjen e drejtpërdrejtë të ndihmave nga e hëna për të arritur te më shumë se një milion palestinezë deri në fund të javës./Nacionale