Donatorët takohen në Paris për ta ndihmuar Ukrainën që ta kalojë dimrin
Dhjetëra shtete dhe organizata ndërkombëtare u zotuan për ndarjen e miliona eurove si pjesë e ndihmave të reja e urgjente të martën për ta mbajtur Ukrainën të furnizuar me rrymë, civilët të kenë ushqim, të mos kenë të ftohtë dhe t’ia dalin mbanë në dimër.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri një argumentim me emocione për atë se pse këto ndihma mund t’i bëjnë presion Rusisë për të shkuar rrugës së paqes. Donatorët e dënuan fuqishëm sulmimin e objekteve energjetike të Ukrainës dhe vendet e tjera që ofrojnë ndihmë për përmbushjen e nevojave themelore.
Nikoçiri i kësaj konference, presidenti francez, Emmanuel Macron, e dënoi bombardimin e caqeve civile nga forcat ruse, duke e cilësuar këtë veprim si krim lufte. Ai tha se Kremlini po e sulmon infrastrukturën civile, sepse trupat e tij kanë pësuar humbje në fushën e betejës dhe se “dobësia e tyre ushtarake është shpërfaqur para të gjithëve”, raporton agjencia “Associated Press”, përcjell gazeta Nacionale.
Rusia “ka zgjedhur një strategji cinike, me qëllim për ta shkatërruan infrastrukturën civile në mënyrë që ta ulë Ukrainën në gjunjë. Objektivi është i qartë: kundërpërgjigje ndaj humbjeve ushtarake duke përhapur tmerr në mesin e civilëve, përpjekje për ta thyer kurrizin përderisa nuk mund ta mbajë frontin”- shtoi presidenti francez.
Përderisa temperatura po ulet e bora po bie, nevojat e Ukrainës janë të mëdha dhe urgjente. Rusia vazhdimisht e ka vënë në shënjestër rrjetin energjetik të Ukrainës dhe pjesë të tjera të infrastrukturës që nga fillimi i tetorit. Nga disa valë të sulmeve me raketa e dronëve shpërthyes është shkatërruar rreth gjysma e infrastrukturës energjetike të Ukrainës, sipas qeverisë në Kiev.
Presidenti ukrainas, i cili iu drejtua pjesëmarrësve të konferencës në Paris përmes video-lidhjes, tha se rreth 12 milionë ukrainas – rreth një e katërta e popullsisë së vendit para se të fillonte lufta – janë duke jetuar me ndërprerje të energjisë.
Zelensky argumentoi se një përpjekje e bashkërenduar ndërkombëtare për ta mbajtur në funksion sistemin e shërbimeve themelore të Ukrainës do të mund ta dekurajonte Moskën nga sulmet e mëtejme dhe do të mund ta detyronte që të ulej në tavolinën e bisedimeve e gjithashtu t’i parandalonte valët e reja të refugjatëve ukrainas në Evropë e në pjesë të tjera të botës.
“Rusia do të detyrohet që të mendoj për atë se si ta ndalë agresionin. Energjia është njëri nga çelësat për këtë”- tha presidenti ukrainas./Nacionale
