Dobësimi i tregtisë së Kinës sjell pak lirim të naftës edhe të mërkurën
Çmimet e naftës shënuan rënie të vogël edhe të mërkurën, pas të martës, pas shtimit të shqetësimit për kërkesën e ngadalshme nga importuesja më e madhe e karburanteve në botë, Kina, kur të dhënat e publikuara treguan rënie të tregtisë në këtë shtet.
Çmimi i një fuçie nafte të papërpunuar në bursën “Brent” ra për 21 centë ose për 0,2 për qind, në 85,96 dollarë në orën 6 e 15 minuta të mëngjesit. Në bursën amerikane, “West Texas Intermediate”, çmimi për një fuçi ra për 21 centë, gjithashtu, në 82,71 dollarë, raporton agjencia “Reuters”.
Të dhënat shqetësuese për rënien e importit të naftës nga Kina patën efekt më të fuqishëm se paralajmërimi për pakësimin e prodhimit nga Arabia Saudite dhe Rusia.
Të martën, të dhënat tregtare treguan se importimi i naftës së papërpunuar në Kinë në korrik ra për hiç më pak se 18.8 për qind në krahasim me muajin paraprak. Eksportuesit e rëndësishëm e pakësuan blerjen e dërgesave nga vendet e huaja dhe rezervat në vend u rritën.
Ndërkohë në ShBA raportohet për rritje të rezervave të naftës së papërpunuar për 4,1 milionë fuçi javën e kaluar, sipas disa burimeve të tregut, të cilat i cituan numrat e Institutit Amerikan të Karburanteve të martën.
Çmimet e naftës së papërpunuar kanë qenë duke u rritur nga qershori, kryesisht për shkak të pakësimit të vazhdueshëm të prodhimit nga Arabia Saudite dhe rritjes së kërkesës globale, tha Administrata për Informata të Energjisë e ShBA-së.
Eksportuesja më e madhe e naftës në botë, Arabia Saudite, javën e kaluar e vazhdoi pakësimin e saj vullnetar të prodhimit për një milion fuçi në ditë deri në fund të shtatorit, duke shtuar se kjo masë mund të vazhdohet edhe pas kësaj periudhe ose të thellohet edhe më shumë. Edhe Rusia ka thënë se do ta pakësojë prodhimin për 300 mijë fuçi në ditë në shtator.
