Dobësohet tregtia e Kinës, lirohet pak nafta në bursa ndërkombëtare - NACIONALE

Dobësohet tregtia e Kinës, lirohet pak nafta në bursa ndërkombëtare

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Çmimet e naftës shënuan rënie të vogël të martën, pasi të dhënat treguan se importet dhe eksportet e Kinës kishin rënë shumë më shumë se që pritej në korrik si shenjë tjetër e rritjes së dobët në importuesen më të madhe të karburanteve në botë, edhe pse lirmi i naftës u kufizua nga zvogëlimi i prodhimit që pritet të ndodhë.

Çmimi për një fuçi të naftës së papërpunuar në bursën “Brent” ra për 29 centë ose 0,34 për qind, në 85,05 dollarë, në orën 6 e 41 minuta, ndërsa në bursën “West Texas Intermediate” ra për 25 centë ose 0.31 për qind, në 81,69 dollarë për fuçi, raporton agjencia “Reuters”.

Importet e naftës në Kinë në korrik ishin 43,69 milionë tonë ose 10,29 milionë fuçi në ditë, sipas të dhënave të Administratës së Përgjithshme të Doganave, të publikuara të martën. Ky numër ishte për 18,8 për qind më i ulët se sasia e importuar në qershor, por për 17 për qind më shumë se para një viti.

Në të njëjtën kohë, importet e përgjithshme të Kinës ranë për 12,4 për qind, ndërsa eksportet për 14,5 për qind në krahasim me një vit më parë. Ritmi i rënies së eksporteve ishte më i shpejti që nga shkurti i vitit 2020 dhe më i keq se parashikimet e analistëve.

Pavarësisht nga të dhënat e zymta, disa analistë ende kishin pritje pozitive për kërkesën e Kinës për naftë për periudhën nga gushti deri në fillim të tetorit, pasi shkalla e përpunimit të naftës së papërpunuar mbeti e lartë.

Sa i përket furnizimit, Arabia Saudite, eksportuesja më e madhe e naftës në botë, ka thënë se do ta zgjatë zvogëlimin e prodhimit për një milion fuçi në ditë edhe gjatë shtatorit, duke shtuar se do ta zgjatë këtë masë edhe pas shtatorit ose do të bëjë zvogëlim edhe më të madh.

Edhe Rusia ka thënë se do ta pakësojë eksportimin e naftës për 300 mijë fuçi në ditë në shtator.

Lajme të ngjashme