Djali i Netanyahut e “sulmon” ushtrinë: Nëse s’kishte tradhti, pse po i frikësohen hetimit?
Yair Netanyahu, i biri i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, përsëri i ka sulmuar me fjalë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit, kësaj radhe pas një urdhri të përkohshëm të Gjykatës së Lartë të Drejtësisë ndaj kontrolluesit Shtetëror për të pezulluar çfarëdo aspekti të hetimit të tij rreth dështimeve në lidhje me reagimin ndaj sulmeve të 7 tetorit që ka të bëjë me ushtrinë dhe shërbimin për siguri të brendshme, Shin Bet.
“Çfarë po mundohen të fshehin? Nëse nuk kishte tradhti kombëtare, pse janë ata kaq shumë të frikësuar që palët e jashtme dhe të pavarura të kontrollojnë se çfarë ka ndodhur” – shkroi ai në rrjetin X, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Hetimi i kontrolluesit Shtetëror, Matanyahu Englman, ka qenë kundërthënës që nga koha kur ai e kishte njoftuar veprimin në dhjetor të vitit të kaluar. Grupet për mbikëqyrjen e qeverisjes së mirë kanë kërkuar nga gjykata që të dalë kundër nismës së Englmanit, duke argumentuar se ky hetim nuk ishte në fushëveprimin e tij dhe se do t’i dëmtonte kapacitetet operacionale të ushtrisë izraelite.
Grupet gjithashtu kishin shprehur shqetësim se hetimi do ta shpërfillte përgjegjësinë politike për masakrat e tetorit. Edhe ushtria izraelite e Zyra e Prokurorit Shtetëror kishin dalë kundër hetimit.
Yair Netanyahu njihet për praninë e tij provokuese në internet dhe është ballafaquar me veprime ligjore për aktivitetin e tij në rrjete sociale.
Të shtunën, ai shpërndau një postim ku shefat e lartë të sigurisë paraqiteshin si “dështime fatale”.
Muajin e kaluar, ai shpërndau një video të një rezervisti të maskuar izraelit që zotohej për aleancë me Netanyahun dhe kërcënonte me rebeim kundër komandantit të Shtabit të Përgjithshëm, Herzi Halevi, e ministrit të Brendshëm, Yoav Gallant, nëse ushtria nuk do ta ndiqte “fitoren e plotë” kundër Hamasit.
Në dhjetor, djali i kryeministrit kishte pëlqyer një shkrim në rrjete sociale ku Halevi akuzohej për nisjen e de fakto një puçi ushtarak më 7 tetor, duke pretenduar se komandanti i ushtrisë kishte dijeni para kohës për sulmin shkatërrues të Hamasit, por nuk i kishte treguar Netanyahut.