Djali i Bidenit del të martën në gjyq: Për çka akuzohet dhe sa mund të dënohet?
Hunter Biden, djali i presidentit Joe Biden të ShBA-së, pritet që të martën të deklarohet i pafajshëm për akuzat për pronësi ilegale të një pistolete.
Prokurorët pretendojnë se Bideni, 53 vjeç, ka gënjyer për përdorimin e drogës prej tij në dokumente, kur e kishte blerë armën në vitin 2018, raporton televizioni BBC.
I akuzuari ka pranuar se kishte qenë përdorues i madh i kokainës “crack” në atë kohë, por mohon se e kishte shkelur ligjin.
Ai mund të dënohet deri në 25 vite burgim, nëse shpallet fajtor për tri akuza federale.
Një marrëveshje e propozuar për pranim të fajësisë për t’i zgjidhur shpejt akuzat kishte dështuar në korrik, që kishte nënkuptuar se ndaj Bidenit ishte ngritur aktakuzë pak kohë më pas.
Ai ngarkohet me dy akuza për dhënie të deklaratave të rrejshme dhe me një akuzë për posedim ilegal të armës. Të gjitha akuzat ndërlidhen me blerjen e një revolveri në një dyqan armësh në Delaware në tetor të vitit 2018, të cilin e kishte mbajtur për rreth 11 ditë.
Dy prej akuzave kriminale kundër tij, secila e dënueshme me deri në dhjetë vite burgim, rrjedhin nga pretendimet se Bideni kishte gënjyer për përdorimin e drogës në dokumentet për blerjen e armës. Akuza e tretë – ajo për posedim ilegal të armës së zjarrit – dënohet me deri në pesë vite burgim.
Ai do të paraqitet në gjykatën federale në Wilmington, në Delaware, që është vendlindje e familjes Biden.
Arma e këtij rasti ishte gjetur nga Hallie Biden, e veja e vëllait të Hunterit, Beau, në automjetin e tij. Zonja Biden e kishte hedhur armën në një kosh mbeturinash, gjoja për shkak të frikës se ai mund ta përdorte armën për ta lënduar veten.
Pistoleta ishte gjetur më vonë dhe ishte rikthyer në dyqan, por jo para se të nxiste hetime të veçanta nga policia në Delaware dhe nga Shërbimi Sekret i ShBA-së.
