Ditë historike për Finlandën, sot bëhet anëtare e NATO-s
Finlanda do të bëhet anëtare e NATO-s të martën, duke e kompletuar ndryshimin historik të politikës së sigurisë, të nxitur nga pushtimi rus i Ukrainës. Suedia fqinje është ende në pritje për shkak të ankesa të Turqisë.
Aleanca do ta mirëpresë Finlandën si anëtare të 31-të të saj në një ceremoni me ngritje të flamurit në selinë qendrore të NATO-s në periferi të Brukselit, ku do të marrin pjesë presidenti finlandez, Sauli Niinisto, dhe ministrat qeveritarë, raporton agjencia “Reuters”.
“Do të jetë një ditë e mirë për sigurinë e Finlandës, për sigurinë nordike dhe për NATO-n si tërësi”- tha të hënën para gazetarëve sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.
Pranimi i Finlandës në NATO pothuajse e dyfishon gjatësinë e kufirit të aleancës me Rusinë. Moska tha të hënën se do t’i fuqizojë kapacitetet e saj ushtarake në rajonet e saj perëndimore dhe veriperëndimore si kundërpërgjigje ndaj anëtarësimit të Finlandës në NATO.
Forcat mbrojtëse të Finlandës thanë se në hapësirën ajrore të vendit tashmë kanë filluar të qarkullojnë fluturimet vëzhguese të NATO-s nga forcat amerikane dhe të vendeve të tjera aleate.
Më 24 mars, komandantët e forcave ajrore nga Suedia, Norvegjia, Finlanda dhe Danimarka thanë se kanë nënshkruar një letër për krijimin e një mbrojtjeje të unifikuar nordike për t’iu kundërvënë rrezikut në rritje nga Rusia.
“Do të donim të shihnim nëse mund ta integrojmë më shumë vëzhgimin tonë të hapësirës ajrore, në mënyrë që të mund t’i përdorim të dhënat e radarëve nga sistemet vëzhguese të njëri-tjetrit dhe t’i përdorim ato kolektivisht”- tha komandanti i forcave ajrore të Danimarkës, Jan Dam.
Finlandezët që po i shijonin rrezet e diellit në qendër të Helsinkit të hënën thanë se janë të kënaqur që procesi i anëtarësimit në NATO do të përfundojë së shpejti, edhe pse disa shprehën rezerva.
Finlanda dhe Suedia kishin thënë se donin të anëtarësoheshin në NATO së bashku për ta shtuar sigurinë reciproke, por ky plan nuk funksionoi për shkak se Turqia nuk e ratifikoi anëtarësimin e Suedisë.
Diplomatët e NATO-s shpresojnë se Turqia do ta ndryshojë qëndrimin pas zgjedhjeve parlamentare të majit. Sekretari aleancës, Jens Stoltenberg, tha se ai beson që Suedia do të bëhet anëtare e NATO-s dhe se është prioritet i aleancës që kjo gjë të ndodh sa më shpejt që është e mundshme.

