Dita 260 e luftës Rusi-Ukrainë: Ngjarjet më të rëndësishme - NACIONALE

Dita 260 e luftës Rusi-Ukrainë: Ngjarjet më të rëndësishme

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ndërkohë që trupat ruse kanë nisur të tërhiqen nga Khersoni, forcat ukrainase kanë njoftuar se kanë rimarrë një sërë vendbanimesh afër qytetit.

Më poshtë, Nacionale sjell shkurtimisht ngjarjet më kryesore që shënuan ditën 260 të luftës Rusi-Ukrainë.

  • Pasi Rusia njoftoi të enjten se ka nisur tërheqjen e trupave të saj nga Kherson, ushtria ukrainase tha se ka çliruar qytetin kyç të Snihurivka-s.
  • Presidenti ukrainasi Volodomyr Zelensky, përmes një fjalimi me video ka njoftuar se forcat ukrainase tashmë kanë çliruar 41 vendbanime në jug të vendit.
  • Gjatë ditës kanë qarkulluar po ashtu raporte të shumta se rajoni i Mykolaiv tashmë është çliruar plotësisht nga forcat ruse. Megjithatë ende nuk ka pasur një konfirmim zyrtar.
  • Njoftimi i ministrit rus të mbrojtjes, Sergei Shoigu për tërheqje nga Khersoni, shënon një nga tërheqjet më të rëndësishme të Rusisë dhe një pikë kthese të mundshme në luftë. Ky vendim u cilësua nga gjenerali Sergei Surovikin, si "shumë i vështirë".
  • Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se kanë zbuluar disa shenja që tregojnë për tërheqjen e forcave ruse nga Khersoni.
  • Shefi i ushtrisë së Ukrainës, Valeriy Zaluzhnyi, ka thënë se Kievi nuk mund të konfirmonte ende nëse Rusia po tërhiqej vërtet nga qyteti, por ai ka bërë të ditur se trupat ukrainase kanë avancuar shtatë kilometra në 24 orët e fundit duke rimarrë 12 vendbanime.
  • Lidhur me njoftimin për tërheqje, Ukraina ka reaguar me shumë kujdes, duke thënë se forcat ruse janë ende në Kherson dhe është duke u dërguar fuqi punëtore shtesë. “Derisa flamuri ukrainas të ngritet mbi Kherson, nuk ka kuptim të flasim për një tërheqje ruse”, është shprehur Mykhailo Podolyak, një këshilltar i lartë i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.
  • Zëvendës shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Vadym Skibitsky, ka shprehur për The Guardian frikën e tij se Rusia do të provojë një bombardim tjetër të stilit Mariupol në qytetin e Kherson nëse tërhiqen.
  • Gjenerali më i lartë i Amerikës dhe kryetari i Shtabit të Përbashkët, ka vlerësuar se Rusia dhe Ukraina kanë humbur rreth 200,000 ushtarë që nga fillimi i luftës. Ky ishte numri më i lartë i dhënë ndonjëherë për viktimat nga ndonjë zyrtar perëndimor.
  • Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA, ka raportuar se presidenti rus Vladimir Putin mund të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të grupit të kombeve G20 në Bali vetëm përmes një video lidhjeje.
  • Ndërsa lufta po shkon drejtë nëntë muajve, disa ministra evropianë të mbrojtjes thanë se Ukraina nuk duhet të ndihet nën presion për të hyrë në ndonjë negociatë paqeje me Rusinë.

Lajme të ngjashme