Disa njerëz raportohen të vrarë në protestat në Iran për vështirësitë ekonomike
Disa njerëz u vranë gjatë trazirave në Iran, thanë të enjten mediat dhe grupet për të drejtat e njeriut në shtetin aziatik, kur protestat më të mëdha në vend në tri vitet e fundit për përkeqësimin e kushteve ekonomike nxitën dhunë në disa provinca.
Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve, “Fars”, raportoi se tre protestues u vranë dhe 17 të tjerë u lënduan gjatë një sulmi ndaj një stacioni të policisë në provincën perëndimore iraniane, Lorestan, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Protestuesit hynë në selinë qendrore të policisë rreth orës 18:00 [sipas kohës lokale] të enjten… ata u përplasën me forcat policore dhe ua vunë zjarrin disa veturave të policisë”, raporton agjencia “Fars”.
Më herët, kjo agjenci dhe një grup për të drejtat e njeriut raportuan për të vdekur në qytetin Lordegan të provincës Charmahal si dhe në provincën Bakhtiari. Autoritetet konfirmuan një të vdekur në qytetin perëndimor, Kuhdasht, ndërsa grupi për të drejtat e njeriut “Hengaw” raportoi një të vdekur tjetër në provincën qendrore, Isfahan.
Përleshjet mes protestuesve dhe forcave të sigurisë shënojnë një përshkallëzim domethënës në trazirat që janë përhapur në mbarë vendin që nga e diela, kur pronarët e dyqaneve protestuan për rënien e madhe të vlerës së valutës dhe rritjes së shpejtë të çmimeve.
Agjencia “Fars” tah se dy njerëz ishin vrarë në Lordegan gjatë përleshjeve mes shërbimeve të sigurisë dhe atyre që i quajti protestues të armatosur. Më herët, kjo agjenci kishte raportuar për disa të vdekur.