Diplomatja e lartë amerikane paralajmëron për rrezikun e konfliktit aksidental të nxitur nga Kina
Veprimet “provokuese” të Kinës përreth Tajvanit, Japonisë dhe në Detin Jugor të Kinës e bartin rrezikun për një aksident që pa qëllim do të mund të nxiste një konflikt më të gjerë, tha të premten diplomatja më e lartë e Uashingtonit në Taipei.
Sandra Oudkirk, drejtoreshë në largim e Institutit Amerikan në Tajvan dhe de fakto ambasadore e ShBA-së atje, u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të devotshme” ndaj status-kuosë së paqes dhe stabilitetit në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin më të gjerë, raporton agjencia “Reuters”.
“Dhe për këtë arsye, ne vazhdimisht i kemi bërë thirrje RPK-së [Republikës Popullore të Kinës] që t’i shmangë veprimet shtrënguese ose provokuese edhe në Ngushticën e Tajvanit, edhe në zona të tjera, si Deti Jugor i Kinës dhe afër Japonisë” – shtoi ajo.
“Sepse veprimet provokuese janë gati sipas definicionit të rrezikshme. Ato e bartin rrezikun e një llogaritjeje të gabuar ose të një aksidenti që do të mund të nxiste një konflikt më të gjerë” – paralajmëroi diplomatja amerikane.
ShBA-ja është mbështetësja më e rëndësishme dhe furnizuesja ndërkombëtare me armë e Tajvanit, pavarësisht nga mungesa e marrëdhënieve zyrtare me ishullin për të cilin Kina pretendon se është territor i saj.
Kina e ka shtuar trysninë ushtarake dhe politike kundër Tajvanit me qeverisje demokratike në katër vitet e fundit, ndërsa muajin e kaluar zhvilloi lojëra luftarake përreth ishullit pas inaugurimit të presidentit Lai Ching-e, të cilin Kina e quan “separatist”.
Pekini vazhdimisht ka paralajmëruar se Tajvani është çështja më e rëndësishme dhe më e rrezikshme në marrëdhëniet kinezo-amerikane. Qeveria në Taipei e kundërshton pretendimin e Kinës për sovranitet mbi ishull, duke thënë se vetëm populli i Tajvanit mund të vendosë për të ardhmen e vet.