Diplomatët e ShBA-së, Britanisë e Shqipërisë largohen nga takimi i OKB-së, kur e merr fjalën Rusia
Përfaqësuesit diplomatikë të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Shqipërisë dhe Maltës u larguan nga një takim i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e fëmijëve, kur përmes video-lidhjes e mori fjalën përfaqësuesja ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, për të cilën Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar fletarrestim nën akuzën për krime lufte.
Britania dhe Shtetet e Bashkuara e parandaluan transmetimin e takimit joformal për Ukrainën në uebfaqen e Kombeve të Bashkuara. Takimi u organizua nga Rusia për të diskutuar për evakuimin e fëmijëve nga zonat e konfliktit, raporton agjencia “Reuters”.
Diplomatët u larguan nga dhoma e konferencave e OKB-së, ku po zhvillohej diskutimi, kur Lvova-Belova e mori fjalën.
Ambasadorja e ShBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha para gazetarëve se Shtetet e Bashkuara u bënë bashkë me Britaninë për ta bllokuar transmetimin e takimit në uebfaqen e OKB-së në mënyrë që Lvova-Belova të mos kishte “një podium ndërkombëtar për të shpërndarë dezinformata dhe për t’u përpjekur që t’i mbronte veprimet e saj të tmerrshme që po ndodhin në Ukrainë”.
Gjykata Ndërkombëtare Penale muajin e kaluar lëshoi fletarrestime për presidentin rus, Vladimir Putin, dhe Lvova-Belova-n, duke i akuzuar për dëbimin ilegal të fëmijëve nga Ukraina dhe dërgimin e paligjshëm të njerëzve nga Ukraina në Rusi që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022.
Moska nuk e ka fshehur programin me të cilin ka dërguar mijëra fëmijë ukrainas në Rusi, por e ka paraqitur atë si fushatë humanitare për mbrojtjen e jetimëve dhe fëmijëve të braktisur në zonat e luftës.
Lvova-Belova tha se nga shkurti i vitit të kaluar, rreth pesë milionë ukrainas, përfshirë 700 mijë fëmijë, kanë udhëtuar në Rusi.
Diplomatja britanike, Asima Ghazi-Bouillon, pasi u kthye në takim, pas përfundimit të fjalimit të përfaqësueses ruse, tha: “Rusia pretendon se është duke i mbrojtur këta fëmijë. Në vend të asaj, kjo është politikë e përllogaritur me të cilën synohet fshirja e identitetit dhe shtetësisë ukrainase.”
