Dimër i hershëm me viktima në perëndim të Gjermanisë, bëhet thirrje për qëndrim në shtëpi
Autoritetet në pjesën perëndimore të Gjermanisë u bënë thirrje banorëve që të qëndrojnë në shtëpi, duke i paralajmëruar për rrezik për jetën, pasi moti dimëror shkaktoi rrugë të rrëshqitshme. Dy persona mbetën të vdekur.
Ardhja e papritur e motit dimëror shkaktoi disa aksidente e ngujim të njerëzve në automjetet e tyre për shkak të ngricave në rrugë dhe rrëzimit të degëve të drurëve nga reshjet e borës në shumë pjesë të vendit, raporton agjencia “Reuters”.
Në distriktin Schwaebisch Hall të shtetit Baden-Wuerttemberg, një burrë 71-vjeçar vdiq si rezultat i një aksidenti në rrugë me borë të hënën në mbrëmje. Sipas policisë në Aalen, drejtuesi i automjetit e humbi kontrollin ndaj veturës dhe doli në shiritin e kundërt.
Një aksident tjetër në akull e shkaktoi vdekjne e një vozitësi 54-vjeçar afër Denzerheide-s të shtetit Rheinland-Pfalz.
Në Rheingau-Taunus, 100 persona u evakuuan nga automjetet e tyre afër Eltville-Martinsthal, ndërsa 70 njerëz mbetën të ngujuar në rrugë afër Linienbad-it.
“Apeli im urgjent: sigurohuni që të qëndroni në shtëpi të martën. Ju lutem që të mos dilni për të ecur as në pyll: është një rrezik akut për jetën nga degët e thyera dhe drurët që po rrëzohen”- thuhet në një deklaratë të administratorit rajonal.
Sipas Shërbimit Meteorologjik të Gjermanisë, priten reshje të reja bore e sqote edhe të martën në shumë shtete gjermane. Ky shërbim shtoi se ky mot do të vazhdojë edhe ditëve të ardhshme.
