Dhjetëra mijëra të evakuuar nga vërshimet në Kinë, priten më shumë reshje
Dhjetëra mijëra njerëz janë detyruar që të evakuohen në Kinë për shkak të vërshimeve masive, ndërsa meteorologët kanë parashikuar reshje të reja.
Në Guangdong, procesi mësimor, puna në zyra dhe transporti publik u pezulluan për shkak të rritjes së nivelit të ujit dhe rrezikut për rrëshqitje dheu. Në provincën fqinje, Jiangxi, gati 500.000 njerëz kanë pësuar dëmtim të shtëpive.
Reshjet e dendura kanë bllokuar rrugë në disa pjesë të qyteteve dhe vërshimet kanë mbuluar vetura e të mbjella, ndërsa pritet që reshje të ketë edhe në ditët e ardhshme.
Autoritetet kineze të dielën e aktivizuan alarmin e kuq për rrëke malore. Në provincën Zhejiang, ekipet e shpëtimit i larguan njerëzit e ngujuar në fshatrat e vërshuara përmes barkave.

Kina vazhdimisht përballet me vërshime gjatë verës, më së shpeshti në zonat qendrore dhe jugore, ku zakonisht ka më shumë reshje.
Vërshimet më të rënda në dekadat e fundit në Kinë ishin më 1998, kur mbi 2.000 njerëz kishin vdekur dhe gat 3 milionë shtëpi ishin shkatërruar, kryesisht përgjatë Lumit “Yangtze”.
Në nivel global, stuhitë tropikale janë duke u shtuar si rezultat i ndryshimeve klimatike, duke shkaktuar vërshime që i rrezikojnë jetën e njerëzve, të mbjellat dhe ujërat nëntokësore.