Dhjetë të vrarë në Gaza e dy në Bregun Perëndimor nga sulmet izraelite - NACIONALE

Dhjetë të vrarë në Gaza e dy në Bregun Perëndimor nga sulmet izraelite

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dhjetë njerëz u vranë nga sulmet izraelite të martën herët në Rripin e Gazës, përfshirë katër fëmijë dhe dy gra, sipas zyrtarëve palestinezë. Në Bregun e pushtuar Perëndimor, forcat izraelite vranë dy njerëz përmes një sulmi ajror, ndërsa një tjetër e qëlluan për vdekje me armë.

Një sulm goditi një shtëpi në lagjen Tufah të Qytetit Gaza, duke vrarë dy fëmijë dhe prindërit e tyre, sipas shërbimit emergjent të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Sipas këtij shërbimi, dy fëmijë të tjerë u plagosën, raporton agjencia “Associated Press”.

Në qytezën qendrore Zuweida, një sulmues ajror izraelit goditi një tendë ku po strehohej një familje e zhvendosur, duke lënë të vrarë katër njerëz, përfshirë një nënë dhe dy fëmijët e saj, sipas spitalit “Martirët e Al-Aksës” në qytetin Deir al-Balah.

Një sulm tjetër goditi një shtëpi në Deir al-Balah, duke lënë të vrarë dy njerëz, tha spitali.

Një gazetar i agjencisë “Associated Press” i numëroi trupat në morgun e spitalit.

Ushtria izraelite thotë se vë në shënjestër vetëm militantë dhe i akuzon ata se fshihen në mesin e civilëve. Forcat izraelite rrallë komentojnë sulme veç e veç, nga të cilat shpesh vriten gra e fëmijë.

Në Bregun Perëndimor, dy njerëz u vranë nga një sulm ajror herët të martën në qytetin verior, Jenin. Një tjetër u vra në fshatin Tamoun, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Ushtria izraelite tha se kreu një sulm ajror ndaj një celule militantësh afër Jeninit. Nuk pati koment të menjëhershëm për të shtënat.

Forcat izraelite kanë kryer bastisje ushtarake pothuajse të përditshme në Bregun Perëndimor që nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor, që e nxiti luftën me Hamasin në Rripin e Gazës./Nacionale

Lajme të ngjashme