Dhjetë anije me grurë janë gati të largohen së shpejti nga portet e Ukrainës - NACIONALE

Dhjetë anije me grurë janë gati të largohen së shpejti nga portet e Ukrainës

4 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Dhjetë anije mallrash po ngarkohen me grurë në portet ukrainase të Detit të Zi dhe nisja e tyre po përgatitet në përputhje me marrëveshjen për eksportin e ushqimit të bërë muajin e kaluar, tha sot Ministri ukrainas i Infrastrukturës Oleksandr Kubrakov.

Eksportet e drithërave të Ukrainës kanë rënë ndjeshëm që nga fillimi i luftës pasi forcat ruse kanë bllokuar portet e Detit të Zi që janë jetike për dërgesat. Për shkak të kësaj, çmimet globale të ushqimeve janë rritur dhe në Afrikë dhe Lindjen e Mesme ka pasur frikë nga mungesa të mundshme.

Në fund të korrikut, tre porte të Detit të Zi u zhbllokuan sipas marrëveshjes mes Moskës dhe Kievit, të arritur me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë.

"Kemi më shumë se 40 kërkesa për dorëzim"

"Dhjetë anije aktualisht janë duke u ngarkuar dhe po përgatiten për nisje nga portet e Odesa, Chornomorsk dhe Pivdeni. Gjithashtu, kemi më shumë se 40 kërkesa për dërgesa në portet e Ukrainës", shkroi Kubrakov në Facebook.

Ai tha gjithashtu se 25 anije tashmë janë transportuar nga tre porte të Ukrainës me 630 mijë tonë produkte bujqësore.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili vizitoi Odesan të premten, tha se duhet bërë shumë për të siguruar akses të plotë global në produktet ushqimore ukrainase dhe ushqimin dhe plehrat ruse pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB për eksportin e ushqimit. Ministria e Bujqësisë e Ukrainës njoftoi të premten se eksportet e grurit ranë 51.6 për qind në 2.99 milionë tonë deri më tani në sezonin 2022/2023. /Nacionale/

Lajme të ngjashme