Dezertori i rrallë rus tregon hollësi për Putinin: Ai është bërë kriminel lufte, të mos heshtim - NACIONALE

Dezertori i rrallë rus tregon hollësi për Putinin: Ai është bërë kriminel lufte, të mos heshtim

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Më 14 tetor, një inxhinier rus i quajtur Gleb Karakulov, bashkë me gruan dhe vajzën e tij, hipi në një aeroplan që do të fluturonte nga Kazakistani për në Turqi. Ai e fiku telefonin për ta ndërprerë zhurmën e porosive urgjente e me tërbim, i tha lamtumirë jetës së tij në Rusi dhe u mundua ta qetësonte zemrën që i rrihte shpejt.

Por ky nuk ishte dezertor i rëndomtë rus. Karakulovi ishte oficer në shërbimin elit për sigurinë personale të presidentit rus, Vladimir Putin – njëri nga pak rusët që kanë ikur e që kanë dalë në publik e të cilët kanë njohuri për hollësi intime të jetës së Putinit dhe potencialisht për informata të klasifikuara, raporton agjencia “Associated Press”.

Karakulovi, i cili ishte përgjegjës për komunikim të sigurt, tha se kundërshtimi moral ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe frika nga vdekja atje e nxitën që të fliste, pavarësisht nga rreziqet për veten dhe familjen e tij. Ai tha se shpreson që t’i frymëzojë edhe rusët e tjerë që të flasin.

“Presidenti ynë është bërë kriminel lufte. Është koha që të ndalet kjo luftë dhe të mos heshtim më”- tha ai.

Rrëfimi i Karakulovit në përgjithësi përputhet me përshkrimet e të tjerëve, të cilat Putinin e pasqyrojnë si udhëheqës dikur karizmatik, por gjithnjë më i izoluar, i cili nuk përdor telefon celular ose internet dhe që këmbëngul për të pasur qasje në televizionin shtetëror rus kudo që shkon.

Karakulovi tregoi hollësi të reja për atë se si duket që paranoja e Putinit është thelluar që nga koha e vendimit për ta pushtuar Ukrainën. Ai tha se Putini tani parapëlqen që t’i shmangë aeroplanët dhe të udhëtojë me një tren të posaçëm e të blinduar. Sipas tij, Putini ka porositur një bunker në ambasadën ruse në Kazakistan të pajisur me një linjë të sigurt komunikimi në tetor. Karakulovi nuk i tregoi nënës së vet për dezertimin. Thotë se ajo mbetet përkrahëse e fuqishme e Putinit.

Sipas Karakulovit, ndryshe nga kryeministri, Putini nuk kërkon qasje të sigurt në internet gjatë udhëtimit. “Gjatë tërë shërbimit tim, kurrë nuk e kam parë me telefon mobil. Të gjitha të dhënat që i merr janë vetëm nga njerëzit e afërt me të. Ai jeton në një lloj boshllëku informativ”- tha dezertori.

Karakulovi tha se Putini filloi që ta përdorte rregullisht trenin e blinduar para fillimit të luftës në Ukrainë. Edhe vitin e kaluar, Putini vazhdoi që të këmbëngulte për zbatimin e masave të rrepta kundër koronavirusit dhe punëtorët e FSO-së (Shërbimi Federal Mbrojtës) punonin me ndërrime në karantinë dyjavore në mënyrë që gjithnjë të ekzistonte një grup i konfirmuar pa Covid-19 për të udhëtuar me Putinin me tren, shtoi ai.

Përderisa nuk foli drejtpërdrejt për rastin e tij, një zyrtar me prapavijë sigurie nga një shtet i NATO-s tha se një dezertim si i Karakulovit ka nivel të lartë interesimi. Ai foli në kushte anonimiteti për të diskutuar çështje të ndjeshme politike.

“Kjo do të shihej si goditje shumë serioze ndaj vetë presidentit, sepse ai është tepër i mprehtë për sigurinë e vet dhe siguria e tij është komprometuar. Kjo është diçka për të cilën ai do të ishte fort i palumtur – sidomos nëse komprometimi ka të bëjë me komunikimet, të cilat kanë shumë peshë”- shtoi zyrtari nga shteti i NATO-s.

Lajme të ngjashme