Dështon mocioni për shkarkimin e presidentit të Koresë së Jugut, pasi shpalli ligjin emergjent të luftës
Mocioni për shkarkimin e presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol ka dështuar, kjo pasi anëtarët e partisë së tij bojkotuan votimin.
Siç shkruan “Zëri i Amerikës”, vetëm 195 anëtarë të parlamentit votuan, duke mos arritur 200 votat e nevojshme.
Një vendim i tillë erdhi pas përpjekjës së tij për të vendosur ligjin për gjendjen e jashtëzakonshme këtë javë, veprim që tronditi opinionin.
Shpallja e gjendjes ushtarake nga presidenti i Koresë së Jugut ka nxitur reagime dhe protesta në vend si dhe shqetësim në mesin e aleatëve ndërkombëtarë të Seulit.
Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, i cili e kishte rekomanduar shpalljen e gjendjes ushtarake, tashmë ka dhënë dorëheqje.
Shtetet e Bashkuara kanë 28 mijë e 500 ushtarë të vendosur në Korenë e Jugut si trashëgimi e Luftës Koreane në periudhën 1950 – 1953.
Komandanti i forcave amerikane në Kore, Gjeneral Paul LaCamera, i paralajmëroi trupat amerikane përmes një deklarate të mërkurën që të qëndronin vigjilente, t’i shmangnin zonat me protesta dhe t’u tregonin eprorëve të tyre për planet e udhëtimit në rast se ndodh “diçka e papritur”.