Deputeti rus për sulmin ukrainas: Bota është buzë një lufte të tretë botërore - NACIONALE

Deputeti rus për sulmin ukrainas: Bota është buzë një lufte të tretë botërore

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një deputet rus tha të premten se sulmi ukrainas i mbështetur nga Perëndimi e ka vënë botën pranë një lufte të plotë globale, raportoi agjencia ruse e lajmeve, RIA.

Trupat ukrainase e kaluan kufirin dhe hynë në rajonin Kursk të Rusisë më 6 gusht dhe prej asaj dite kanë përparuar në masë domethënëse, duke e detyruar Moskën që të evakuojë mbi 200 mijë njerëz nga shtëpitë e tyre, raporton agjencia “Reuters”.

“Duke i marrë parasysh praninë e pajisjeve ushtarake perëndimore, përdorimin e municionit dhe raketave perëndimore në sulmet ndaj infrastrukturës civile dhe dëshmitë e pakundërshtueshme të pjesëmarrjes së të huajve në sulmin ndaj territorit rus, mund të arrihet në përfundimin se bota është buzë një lufte të tretë botërore” – citohet të ketë thënë deputeti Mikhail Sheremet.

Sheremet, që është anëtar i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes në Rusi, u bëri jehonë komenteve të presidentit Vladimir Putin, duke thënë se shtetet e NATO-s ua kishin dhënë dritën e gjelbër planeve për sulmin ukrainas, akuzë që Uashingtoni e ka mohuar.

Ndihmësi i Putinit, Nikolai Patrushev, të premten gjithashtu e akuzoi Perëndimin se qëndron prapa sulmit të Ukrainës në territorin rus. Ai këtë akuzë e bëri në një intervistë për gazetën “Izvestia”.

Patrushevi tha se NATO-ja dhe agjencitë perëndimore të inteligjencës ishin të përfshira në planifikimin e operacionit në Kursk, edhe pse nuk paraqiti ndonjë dëshmi për këtë pretendim.

Ukraina dhe aleatët e saj thonë se Rusia është duke marrë asistencë për luftën e saj nga Kina, Irani dhe Koreja e Veriut.

Më herët të premten, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ripohoi një zotim për thellim të bashkëpunimit me Rusinë dhe shprehu besim që Moska do të jetë fitimtare në “luftën e shenjtë për paqe dhe drejtësi”./Nacionale

Lajme të ngjashme