Deputetët francezë e miratojnë vdekjen e asistuar – me rregulla të rrepta
Asambleja Kombëtare e Francës ka votuar për të drejtën për vdekje të asistuar nën kushte të rrepta, pas disa viteve debat dhe ndryshime në propozime.
Deputetët votuan me 291 vota “për” dhe 241 “kundër” projektligjit që ishte refuzuar tri herë nga dhoma e lartë e kuvendit, Senati, raporton televizioni BBC.
Kryeministri Sebastien Lecornu pritet t’i dërgojë disa pjesë të projektligjit në Këshillin Kushtetues të Francës për ekzaminim para se masa të mund të bëhet ligj.
Kjo masë do t’u mundësonte vdekje të asistuar të rriturve francezë me sëmundje “serioze dhe të pashërueshme” që ua rrezikojnë jetën dhe që janë “në fazë të avancuar ose terminale”. Për të pasur të drejtën në këtë masë, sëmundja duhet të jetë aq serioze, saqë t’i lërë pacientët në vuajtje të vazhdueshme fizike ose psikologjike që është e papërballueshme ose rezistente ndaj trajtimit.
Pacienti fillimisht duhet që “në mënyrë të lirë t’ia shfaqë synimin e tij” një mjeku, i cili më pas do të merrte një vendim pas konsultimit brenda 15 ditëve.
Pas dy ditëve reflektimi, pacienti duhet ta marrë vetë substancën vdekjeprurëse. Nëse ata nuk mund ta bëjnë këtë, një gjë e tillë mund të bëhet nga një mjek apo infermier.
Vendimi i pacientit për ta zbatuar procedurën duhet të vërtetohet nga mjeku ditën e zbatimit të saj./Nacionale