Dënohet me burgim të përjetshëm në Angli predikuesi islam, Anjem Choudary
Predikuesi radikal islam britanik, Anjem Choudary, ndjekësit e të cilit janë ndërlidhur me shumë komplote përreth botës, u dënua të martën me burgim të përjetshëm për drejtim të një organizate terroriste.
Choudary, 57 vjeç, u dënua javën e kaluar për drejtimin e “al-Muhajiroun”, që është ndaluar si organizatë terroriste para më shumë se një dekade, dhe për nxitje të të tjerëve për ta mbështetur këtë grup.
“Organizatat si e juaja e normalizojnë dhunën në mbështetje të një kauze ideologjike” – i tha Choudaryt gjykatësi Mark Wall në një gjykatë në Londër, raporton agjencia “Reuters”.
“Ekzistenca e tyre ua jep individëve që janë anëtarë të tyre kurajon për të kryer akte që në të kundërtën mund të mos i bëjnë. Ata fusin pyka mes njerëzve që në të kundërtën do të mundnin dhe do të jetonin së bashku në bashkekzistencë paqësore” – shtoi gjykatësi britanik.
Wall i shqiptoi Choudaryt dënim me burgim të përjetshëm me më së paku 28 vjet vuajtje të dënimit pa të drejtë për të kërkuar lehtësim.
Dikur predikuesi islam me profilin më të lartë në Britani, Choudary kishte marrë vëmendje për çmuarjen e burrave përgjegjës për sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara dhe që kishte thënë se donte ta shndërronte Pallatin e Buckinghamit në xhami.
Ai më parë ishte burgosur në Britani më 2016 për nxitje të përkrahjes për ISIS-in, para se të lirohej më 2018, pasi e kishte vuajtur gjysmën e dënimit me pesë vjet e gjysmë burgim.