Delegacioni izraelit niset për në Katar për bisedimet e paqes në Gaza - NACIONALE

Delegacioni izraelit niset për në Katar për bisedimet e paqes në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Televizioni izraelit, “Channel 12”, raporton se një delegacion i negociatorëve të “nivelit punues” janë larguar nga Izraeli për të marrë pjesë në bisedimet në Katar për një marrëveshje për armëpushim dhe lirim të pengjeve në Gaza, pasi kryeministri Benjamin Netanyahu tha të enjten se ia kishte dhënë dritën e gjelbër nisjes së delegacionit.

Edhe një delegacion i grupit palestinez Hamas pritet të arrijë në Doha të Katarit për vazhdimin e bisedimeve, në mesin e raportimeve ditëve të fundit se bisedimet kishin hasur në ngërç, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Zyra e Kryeministrit tha se “Netanyahu autorizoi një delegacion të nivelit punues nga shërbimet Mosad, Shin Bet dhe ushtria izraelite për t’i vazhduar bisedimet në Doha”.

Një zyrtar, emri i të cilit nuk u publikua, i tha televizionit “Channel 12” se vendimi erdhi pasi kishte “përparim ditëve të fundit”.

Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve e mirëpriti vendimin e Netanyahut për dërgimin e ekipit negociues në Katar, duke thënë: “Nuk mund ta humbim këtë dritare të mundësisë.”

Mediat izraelite gjithashtu raportuan se ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, dhe i emëruari qeveritar për pengjet, Gal Hirsch, u kanë thënë familjeve të pengjeve se bisedimet nuk ishin në ngërç dhe se përderisa kishte përparim, progresi ishte ngadalësuar për shkak të disa vështirësive rreth kërkesave të Hamasit.

Zyrtarët izraelitë javën e kaluar shprehën pesimizëm për arritjen e marrëveshjes pas refuzimit nga Hamasi për ta publikuar listën e pengjeve të gjalla që do të mund t’i lironte. Një zyrtar izraelit i mbrojtjes tha të mërkurën se nuk kishte plan për dërgimin e negociatorëve në Katar apo në Egjipt. Ishte e paqartë se çfarë ndryshoi të enjten.

Duke shprehur optimizëm, zyrtari i lartë i Hamasit, Mousa Abu Marzouk, i tha gazetës “Al-Araby al-Jadeed” të enjten se “ka gjasa të mira që bisedimet do të kenë sukses kësaj radhe”.

Ndërmjetësit arabë i thanë gazetës “The Wall Street Journal” të martën se bsiedimet kishin hasur në ngërç, pasi të dyja palët këmbëngulnin në kërkesat që tjetra nuk i pranonte dhe se ato me gjasë nuk do të arrinin marrëveshje para përfundimit të mandatit të presidentit Joe Biden./Nacionale

Lajme të ngjashme