Del jashtë funksionit spitali i vetëm për kancer në Gazë, thonë zyrtarët
Spitali i vetëm për trajtimin e kancerit në Rripin e Gazës nuk është më duke funksionuar për shkak të harxhimit të karburantit, thanë të mërkurën zyrtarët shëndetësorë.
Drejtori i spitalit “Miqësia Turko-palestineze” tha në një konferencë për gazetarë se ky spital, ku kryesisht trajtohen pacientët me kancer, e ka harxhuar karburantin dhe tani është jashtë shërbimit, raporton agjencia “Reuters”.
“Ne i themi botës që të mos i lërë pacientët me kancer para vdekjes së sigurt për shkak të mosfunksionimit të spitalit”- shtoi drejtori Subhi Skaik.
Ministrja palestineze e Shëndetësisë, Mai al-Kaila, i konfirmoi komentet e drejtorit të spitalit përmes një deklarate, duke shtuar se kjo e çon në 16 numrin e përgjithshme të spitaleve jashtë funksionit tash për tash në Rripin e Gazës, nga 35 gjithsej.
“Jeta e 70 pacientëve me kancer brenda spitalit është seriozisht e kërcënuar. Numri i pacientëve me kancer në Rripin e Gazës është rreth dy mijë, që jetojnë në kushte katastrofale shëndetësore si rezultat i agresionit të vazhdueshëm izraelit ndaj Rripit (të Gazës) dhe zhvendosjes së një numri të madh”- tha ministrja palestineze.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga fillimi i luftës deri të mërkurën ka shkuar në 8.796, përfshirë 3.648 fëmijë.
Pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, kur u vranë rreth 1.400 njerëz, Izraeli u kundërpërgjigj me një bllokadë totale të Gazës, bombardime të ashpra e operacion tokësor.
Izraeli është zotuar se do ta shpartallojë Hamasin, por kushtet e rënda humanitare kanë shkaktuar shqetësim të madh në botë për shkak të mungesës së ushqimit, ujit të pijshëm, karburantit e ilaçeve, ndërsa spitalet po ballafaqohen me vështirësi për trajtimin e të plagosurve.
