Danimarka e pranon rolin në sulmet e NATO-s që kishin lënë 14 civilë të vrarë në Libi
Ministria e Mbrojtjes e Danimarkës ka thënë se do të nisë një shqyrtim pas publikimit të dëshmive që tregojnë se forca e saj ajrore kishte marrë pjesë në sulme ajrore në Libi, nga të cilat ishin vrarë 14 civilë në vitin 2011.
Kjo është hera e parë që ndonjëri nga dhjetë shtetet e përfshira në fushatën bombarduese të NATO-s pranon një lidhje të mundshme me viktima joluftuese, raporton gazeta “The Guardian”.
Në dokumentet e publikuara sipas së drejtës për liri të informimit tregohet se si forca ajrore daneze kishte konkluduar privatisht që në vitin 2012 se dy sulme me aeroplanë luftarakë F-16 ishin të lidhura me raportet për viktima civile, të hartuara nga OKB-ja, mediat dhe grupet për të drejtat e njeriut.
Megjithatë, ky pranim nuk ishte bërë publik atë kohë, në thelb duke i pamundësuar një të afërmi të libianëve të vrarë që të kërkonte dëmshpërblim, sepse ai nuk dinte se cili shtet mund të kishte qenë prapa bombardimit.
Në sulmet e NATO-s, ku ishin përfshirë aeroplanë luftarakë danezë e nga të cilat ishin vrarë persona joluftues, përfshihet një sulm ajror në Surman, gati 40 milje në perëndim të Tripolit, më 20 qershor 2011, kur ishin vrarë 12 civilë, përfshirë pesë fëmijë e gjashtë anëtarë të një familjeve, si dhe bombardimi i një blloku banesor në Sirte, në pjesën qendrore të Libisë, më 16 shtator 2011, kur ishin vrarë një burrë e një grua që ishte në muajin e pestë të shtatzënësisë.
Ministria e Mbrojtjes e Danimarkës tha në një deklaratë se përderisa ngjarjet kanë ndodhur para shumë vjetëve, ajo kishte nisur një shqyrtim. “Ministri i Mbrojtjes ka kërkuar që Komanda e Mbrojtjes të vlerësojë nëse dokumentet në fjalë tregojnë që kishte pasoja të një lartësie të tillë që do të duhej të ishte zhvilluar një hetim në atë kohë brenda koalicionit ose kornizës së NATO-s”- thuhet më tej në deklaratë.
Në një dokument të publikuar rishtazi, i shkruar në gjuhën angleze e i dërguar në maj të vitit 2012 nga komanda ushtarake daneze te përfaqësuesit e Danimarkës në NATO, thuhet se “aeroplanët danezë morën pjesë në një numër të sulmeve specifike”, në listë si shkaktare të viktimave civile nga hetues të komisionit ndërkombëtar të OKB-së për hetime në Libi, të organizatës “Human Rights Watch” e të gazetës “The New York Times”.
“Viktimat civile gjatë kryerjes së këtyre sulmeve nuk mund të përjashtohen” – konkludohet në shqyrtimin e brendshëm të autoriteteve daneze, që më parë ishte klasifikuar si sekret.
Megjithatë, në shqyrtim argumentohet, gjithashtu, se “nuk ka dëshmi ose shenjë se aeroplanët danezë kanë shkaktuar viktima të tilla”, sepse “nuk kishte trupa të NATO-s në terren për t’i vlerësuar efektet e sulmeve”. Në vend të kësaj, Danimarka u mbështet në vëzhgime nga largësia nga pilotët dhe në forma të tjera të zbulimit për të arritur te një vendim i paqartë.
Në dokumente të tjera të forcës ajrore, të shkruara në gjuhën daneze, konfirmohet pjesëmarrja e aeroplanëve F-16 në sulmet ajrore në Surman dhe Sirte. Në secilin prej këtyre dy rasteve ishte i përfshirë edhe një shtet tjetër, por emri i këtij vendi mbetet sekret, që do të thotë se është e mundshme që ushtria e po atij vendi i kishte hedhur bombat.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli