Danimarka dhe Holanda do t’i japin Ukrainës 14 tanke “Leopard”
Danimarka dhe Holanda janë pajtuar që të sigurojnë, modernizojnë dhe dhurojnë 14 tanke të tipit “Leopard 2A4” për Ukrainën, përderisa aleatët perëndimorë po i shtojnë përpjekjet për ta fuqizuar municionin e ushtrisë ukrainase, kur furnizimet po pakësohen.
“Tanket Leopard 2 do t’i dhurohen Ukrainës nga pjesa e parë e vitit 2024, si pjesë e përkushtimit tonë afatgjatë ndaj Ukrainës. Kostoja e vlerësuar prej 165 milionë eurosh do të ndahet në mënyrë të barabartë mes vendeve tona. Në këtë mënyrë, ne do të marrim pjesë së bashku në “koalicionin Leopard 2”, i përkrahur nga shumë partnerë dhe aleatë”- thuhet në një deklaratë të përbashkët të ministrive të këtyre dy shteteve të enjten.
Danimarka dhe Holanda më parë janë pajtuar me Gjermaninë që Ukrainës t’i japin më shumë se 100 tanke të tipit “Leopard 1” deri në pranverën e vitit të ardhshëm, raporton televizioni CNN.
“Dy vendet tona do të vazhdojnë që të eksplorojnë fusha të tjera të mundshme për sigurimin e përbashkët të kapaciteteve shtesë me qëllim të përkrahjes së Ukrainës. Ne jemi të vendosur që ta përkrahim Ukrainën aq gjatë sa të jetë e nevojshme. Ukraina duhet të jetë në gjendje që ta mbrojë veten kundër pushtimit nga Rusia”- thuhet më tej në deklaratën e përbashkët.
Tanket “Leopard 2” shihen si mjete jetike moderne ushtarake, të cilat do t’i fuqizonin forcat ukrainase, sepse e shfrytëzojnë karburantin në mënyrë më efikase dhe kanë kërkesa relativisht të ulëta për mirëmbajtje në krahasim me modelet e tjera. Ekspertët besojnë se këto veçori do të ndikonin që tanket “Leopard” ta ndihmonin Ukrainën shpejt.
