Dalim pamjet e aeroplanit rus të rrëzuar në pyll, besohet se nuk ka asnjë të mbijetuar
Një aeroplan pasagjerësh i tipit “Antonov An-24” me rreth 50 njerëz në të u rrëzua të enjten në lindjen e largët të Rusisë dhe të dhënat fillestare sugjerojnë se të gjithë e kanë humbur jetën, thanë zyrtarë rusë të emergjencave.
Trupi i djegur i aeroplanit, i cili i përkiste periudhës sovjetike dhe ishte gati 50 vjet i vjetër, u pa në tokë nga një helikopter dhe ekipet e shpëtimit po shkonin me nxitim në vendin e ngjarjes, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në një video të paverifikuar, e incizuar nga një helikopter dhe e publikuar në rrjete sociale, dukej se tregonte që aeroplani ishte rrëzuar në një zonë të dendur pyjore.
Aeroplani, në bishtin e të cilit tregohej se ishte prodhuar në vitin 1976, operohej nga një kompani ajrore me bazë në Siberi, e quajtur “Angara”.
Footage from the crash site of an AN-24 with 49 souls onboard which crashed this morning within a heavily-wooded area in the Amur Oblast of Eastern Russia. https://t.co/NGyOmtRrCm pic.twitter.com/h4OLW8BWcE
— 𝗜𝗻𝗱𝗶𝗮 𝗢𝗯𝘀𝗲𝗿𝘃𝗲𝗿 (@IndiaObserverX) July 24, 2025
Aeroplani po fluturonte nga qyteti Blagoveshchensk për në Tynda dhe u zhduk nga radarët kur po i afrohej destinacionit, qytezë e skajshme në rajonin Amur që kufizohet me Kinën.
Guvernatori rajonal tha se, duke u mbështetur në të dhënat preliminare, në aeroplan ndodheshin 43 pasagjerë, përfshirë pesë fëmijë, si dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit.
Mbetjet e aeroplanit u gjetën në një kodër rreth 15 kilometra larg qytezës Tynda, citohen të kenë thënë zyrtarët e shërbimeve emergjente./Nacionale