Çudi e madhe: Një burrë mbijetoi te rrotat e aeroplanit gjatë fluturimit nga Algjeria deri në Paris - NACIONALE

Çudi e madhe: Një burrë mbijetoi te rrotat e aeroplanit gjatë fluturimit nga Algjeria deri në Paris

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një burrë është gjetur i fshehur në pjesën afër rrotave të një aeroplani komercial që kishte fluturuar nga Algjeria deri në Paris. Personi kishte hipotermi të rëndë, por ishte gjallë, kanë thënë autoritetet franceze.

Burri që besohet se është në të njëzetat u gjet gjatë kontrolleve teknike, pasi aeroplani i kompanisë “Air Algerie” kishte aterruar në aeroportin “Orly” të Parisit nga Orani i Algjerisë, i thanë prokurorët agjencisë AFP.

Sipas tyre, personi nuk kishte dokumente me vete dhe u dërgua në spital në gjendje serioze, raporton gazeta “The Guardian”.

Një burim i aeroportit më herët raportoi se burri “ishte gjallë, por në gjendje në rrezik për jetën për shkak të hipotermisë së rëndë [temperaturë të ulët të trupit]”.

Aeroplanët komercialë fluturojnë në lartësi prej 9 mijë deri në 12 mijë metrash, ku temperatura zakonisht është rreth -50 gradë Celsius dhe mungesa e oksigjenit e bën të vështirë mbijetesën për këdo që ndodhet në zonën e rrotave të aeroplanit, të cilat nuk kanë as ngrohje, as nuk janë të furnizuara me presion ajri.

Sipas të dhënave të Administratës Federale të Aviacionit në ShBA, të cituara nga mediat, 132 persona janë përpjekur që të udhëtojnë duke u futur në zonën e rrotave të aeroplanëve komercialë nga viti 1947 deri më 2021.

Në prill të këtij viti, trupi i një burri ishte gjetur në zonën e rrotave të një aeroplani në aeroportin “Schipol” të Amsterdamit. Aeroplani kishte ardhur nga Torontoja, por paraprakisht ishte nisur nga Nigeria.

Katër muaj më parë, dy pasagjerë ishin gjetur të vdekur në zonën e rrotave të një aeroplani që ishte nisur nga Santiagoja, kryeqytet i Kilit, për në Bogota, kryeqytet i Kolumbisë.

Në korrik të vitit 2019, trupi i ngrirë i një burri ra në një kopsht në periferi të Londrës, që besohet se ndodhej në zonën e rrotave të një aeroplani të kompanisë “Kenya Airways”.

Sipas të dhënave të Administratës Federale të Aviacionit në ShBA, shkalla e vdekshmërisë së peronave që mundohet të udhëtojnë në këtë mënyrë është 77 për qind.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme