Ç’po ndodh: Izraeli u thotë shtetasve që të largohen sa më shpejt nga Egjipti e Jordania - NACIONALE

Ç’po ndodh: Izraeli u thotë shtetasve që të largohen sa më shpejt nga Egjipti e Jordania

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Izraeli ka lëshuar paralajmërime për të mos udhëtuar drejt Egjiptit, Jordanisë e Marokut, duke e përmendur frikën se udhëtarët izraelitë do të jenë në shënjestër të atyre që janë zemëruar nga lufta e nisur pas sulmit të Hamasit.

Në njoftimin e Agjencisë për Siguri Kombëtare, Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrisë së Jashtme të Izraelit thuhet se niveli i paralajmërimit për udhëtimet në Egjipt (përfshirë Gadishullin Sinai) dhe në Jordani do të ngrihet në shkallën e katërt dhe u bëhet thirrje të gjithë izraelitëve që të largohen sa më shpejt që është e mundshme nga këto dy shtete.

Për udhëtimet drejt Marokut, autoritetet izraelite do ta rrisin nivelin e paralajmërimit në shkallën e tretë dhe izraelitëve u kërkohet që ta shmangin udhëtimin jo-esencial, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“Për shkak të vazhdimit të luftës, është vërejtur acarim i mëtejmë në protestat kundër Izraelit ditëve të fundit në shtete të ndryshme të botës, me theks në shtetet arabe në Lindje të Mesme, bashkë me shpërfaqjen e armiqësisë dhe dhunës kundër simboleve izraelite e hebraike”- thuhet në paralajmërim.

Në njoftim thuhet se rekomandohet që të shmanget qëndrimi në shtetet arabe ose të Lindjes së Mesme, përfshirë Turqinë, Egjiptin, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejnin dhe Marokun.

Për më tepër, autoritetet izraelite rekomandojnë që të shmanget udhëtimi në shtete si Malajzia, Bangladeshi, Indonezia dhe Maldivet.

Javën e kaluar, dy turistë izraelitë u vranë nga një polic egjiptian në Egjipt.

Lajme të ngjashme