CNN: Rusia po e sheh 50-ditëshin e Trumpit si dritë të gjelbër për vazhdimin e ofensivës brutale
Presidenti Donald Trump praktikisht i ka dhënë Vladimir Putinit një dritë të gjelbër të jashtëzakonshme: 50 ditë për ta përfunduar ofensivën e tij brutale të verës në Ukrainë para se të ballafaqohet me ndonjë pasojë, thuhet në një artikull të televizionit amerikan, CNN.
Vetëm nëse nuk ka marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në përfundim të kësaj periudhe, pra në fillim të shtatorit, do të hynin në fuqi taksat prej 100 për qind ndaj Rusisë dhe sanksionet dytësore ndaj partnerëve tregtarë të saj, me të cilat ka kërcënuar Trumpi.
Kjo me siguri se duket si përjetësi për miliona ukrainas pa gjumë që tani po përjetojnë një ofensivë ruse që po përshkallëzohet me sulme vdekjeprurëse me raketa e dronë ndaj qyteteve të tyre.
Megjithatë, në Moskë, zyrtarët kanë një frymëmarrje goxha të lehtësuar. Pas të gjithave, ka mundur të jetë shumë më keq për ta.
Sanksionet kanë mundur të jenë të menjëhershme, nëse presidenti Trump do të donte, ose shumë më të larta – si taksa prej 500 për qind që po propozohet në një projektligj në Senatin e ShBA-së.
Jo që një kërcënim i përtërirë i sanksioneve do ta ndryshojë me siguri drejtimin e Kremlinit në Ukrainë.
Larg prej saj.
Rusia tashmë është njëri nga shtetet më të sanksionuara në botë – ndëshkime për akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane, si dhe aktivitete të tjera dashakëqija nga Krimea deri në Britani e Siri e përtej tyre.
Kremlini tashmë ka ndërtuar një grup kompleks të rrugëzgjidhjeve fleksibile për ta mbajtur gjallë ekonominë e vet të brishtë, ndërkohë duke refuzuar që ta ndryshojë sjelljen.
“Jeta ka treguar se asnjë vendim për sanksione kundër Rusisë nuk prodhon rezultate” – komentoi ligjvënësi kyç rus, Anatoly Aksakov, kur u pyet për kërcënimin më të ri për sanksione.
“Ato çojnë te lëvizja e Rusisë përpara me besim, duke e zhvilluar ekonominë e saj, duke kryer ristrukturime strukturore të ekonomisë së saj kombëtare” – shtoi ai.
Për më tepër, njerëzit brenda Kremlinit dyshojnë se dritarja e re 50-ditore para se të vendoset ndonjë sanksion i ri amerikan është kohë e mjaftueshme që shtysa e tyre ushtarake në Ukrainë të shpaguhet – ose, nëse kjo dështon, që presidenti Trump tashmë famëkeq për ndryshime ta ndryshojë përsëri mendjen rreth Rusisë.
“Për 50 ditë, oh, sa shumë gjëra mund të ndryshojnë, edhe në fushën e betejës, edhe në disponimin e atyre që janë në pushtet në ShBA dhe NATO” – tha në rrjete sociale senatori rus, Konstantin Kosachev.
“Ama disponimi ynë nuk do të preket” – u zotua ai, duke e nënvizuar atë se si Rusia e sheh veten me një qasje afatgjatë rreth Ukrainës, ndërsa qeveritë perëndimore, në mënyrë specifike administrate e Trumpit, shihen si të ndryshueshme në qëndrime./Nacionale/Nasuf Abdyli