"Çmontohet" banda shqiptare e trafikimit të njerëzve pas arrestimeve në Spanjë - NACIONALE

"Çmontohet" banda shqiptare e trafikimit të njerëzve pas arrestimeve në Spanjë

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Anëtarët e një bande kontrabandistësh nga Shqipëria që transportonin emigrantë në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet Spanjës janë arrestuar, pasi policia punoi për mbi një vit për të identifikuar kreun e bandës.

Besohet se emigrantët paguanin nga 3,000 deri në 15,000 euro për t'u kontrabanduar në një vend tjetër. Siç raporton BBC, shtatë persona u arrestuan nga e hëna në të mërkurë.

Oficerët e Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) me bazë në Spanjë dhe në Mbretërinë e Bashkuar punuan për rastin me Guardia Civil të Spanjës.

Kontrabandistët janë shqiptarë që jetojnë në Spanjë

Rrjeti kriminal kontrabandonte kryesisht emigrantë shqiptarë përmes qyteteve veriore të Spanjës, Bilbao dhe Santander në Mbretërinë e Bashkuar, duke përdorur tragetet dhe rrugët e ngarkesave për në Portsmouth, Southampton dhe Liverpool, tha NCA.

Autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjë kanë identifikuar rreth 50 persona që janë lidhur me rrjetin e kontrabandës dhe i kanë paguar ata për kontrabandën, por NCA tha se numri i vërtetë që përdorte rrugën nuk dihej.

Agjencia tha se emigrantët erdhën drejtpërdrejt nga Shqipëria në Spanjë, por disa u rekrutuan nga kampet përreth porteve spanjolle. Derisa u dërguan në Mbretërinë e Bashkuar, kontrabandistët u siguronin emigrantëve strehim dhe ushqim. U bënë shtatë arrestime - dy në Madrid dhe pesë në rajonin bask. NCA thotë se dy burra që besohet se janë udhëheqës të bandës janë në mesin e të arrestuarve.

Të gjithë ata jetonin kryesisht në Shqipëri, por u arrestuan në Spanjë dhe do të përballen me ndjekjen penale në gjykatat spanjolle. Gjatë bastisjeve, hetuesit sekuestruan telefona, kompjuterë, karta bankare, llogari parash, dokumente personale dhe pasaporta të kombësive të ndryshme.

Këtë vit, më shumë se 33,500 njerëz kanë kaluar Kanalin Anglez për në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla, numri më i lartë i regjistruar. /Nacionale/

Lajme të ngjashme