Çmimi Saharov u jepet kryeopozitarëve të Venezuelës, Machado e Gonzalez - NACIONALE

Çmimi Saharov u jepet kryeopozitarëve të Venezuelës, Machado e Gonzalez

1 vit më parë

nga NACIONALE

Parlamenti Evropian të enjten ua dha Çmimin Saharov për Lirinë e Mendimit udhëheqësve opozitarë venezuelas, Maria Corina Machado dhe Edmundo Gonzalez, për “përfaqësimin e popullit të Venezuelës që lufton për t’i rikthyer lirinë dhe demokracinë”.

Në Venezuelë u mbajtën zgjedhje presidenciale në korrik. Opozita publikoi rezultate për të cilat tha se tregonin që Gonzalezi kishte shënuar fitore kumbuese. Megjithatë, bordi kombëtar i zgjedhjeve e shpalli fitues presidentin aktual, Nicolas Maduro, ndërsa Gonzalezi, që është në kërkim nga autoritetet venezuelase, iku në Spanjë, raporton agjencia “Reuters”.

“Edmundo dhe Maria kanë vazhduar që të luftojnë për tranzicionin e lirë, të drejtë dhe paqësor të pushtetit dhe pa u trembur i kanë mbajtur ato vlera që miliona venezuelas dhe ky kuvend i mbajnë për aq të shtrenjta: drejtësia, demokracia dhe sundimi i ligjit” – tha presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Çmimi Saharov është themeluar më 1988 dhe u jepet individëve dhe organizatave për mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Vitin e kaluar, Parlamenti Evropian ua dha këtë çmim post mortem gruas iraniane, Mahsa Amini, e cila vdiq në ndalim policor, si dhe lëvizjes “Grua, Jetë, Liri” në Iran.

Lajme të ngjashme