Civilëve në Luhansk u bëhet thirrje që të ikin, luftimet po eskalojnë
Civilëve që kanë mbetur në rajonin e Luhanskut, në lindje të Ukrainës, u është bërë thirrje nga një zyrtar lokal që të largohen, kur luftimet në zonë po eskalojnë.
Mbi 70.000 banorë të rajonit të Luhanskut ende nuk janë larguar për në qytete më të sigurta, sipas Serhii Haidai-t, guvernator rajonal.
Rreth 330.000 njerëz jetonin në pjesët e Luhanskut, që nuk ishin nën kontrollin e separatistëve pro-rusë, para fillimit të pushtimit rus, tha të shtunën Haidia në llogarinë e tij në rrjetin “Telegram”.
Më shumë se 32.000 njerëz janë evakuuar për 52 ditë përmes transportit të organizuar, ndërsa mbi 200.000 të tjerë janë larguar me transport personal.
“Është jashtëzakonisht e rrezikshme që të qëndrohet në qytete tash. Bombardimet janë shpeshtuar”, tha Haidai.
Ai gjithashtu i akuzoi forcat ruse për sulmimin e zonave civile në qytezat më të prekura, Rubizhne, Popasna dhe Hirske, për të cilat tha se janë shkatërruar përtej njohjes.