Cilat vende të BE-së kanë vendosur kontrolle të përkohshme kufitare? - NACIONALE

Cilat vende të BE-së kanë vendosur kontrolle të përkohshme kufitare?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian është duke u ballafaquar me shtim të ardhjes së emigrantëve të paligjshëm, duke nxitur disa shtet të bllokut që të rivendosin kontrolle të përkohshme kufitare brenda saj që zakonisht është zonë e gjerë e lëvizjes së lirë – zona Schengen.

Rregullat e Schengen-it e lejojnë këtë masë “si zgjedhje e fundit” për të shmangur rreziqe serioze ndaj sigurisë së brendshme ose politikave publike, raporton agjencia “Reuters”.

Cilat shtete i kanë rivendosur ose i kanë ashpërsuar kontrollet?

Austria ka kontrolle në kufirin e saj me Sllovakinë dhe Republikën Çeke, masë që skadon më 15 tetor, ndërsa me Slloveninë dhe Hungarinë deri më 11 nëntor.

Ky shtet i ka përmendur si arsye trysninë ndaj sistemit për pranimin e azilkërkuesve dhe shqetësimet për sigurinë, të thelluara nga grupet terroriste dhe rrjetet kriminale të lidhura me luftën në Ukrainë.

Danimarka është duke kryer kontrolle në transitet tokësore dhe detare nga Gjermania deri më 11 nëntor, duke i përmendur si arsye rreziqet terroriste të lidhura me luftën në Gaza dhe përdhosjet e Kuranit vitin e kaluar, si dhe rrezikun nga spiunazhi rus.

Franca i ka përmendur si arsye presionin ndaj sistemit të pranimit dhe rreziqet për terrorizëm për rivendosjen e kontrolleve në kufijtë me vendetet e zonës Schengen, që do të zbatohen deri më 31 tetor.

Gjermania planifikon që të zbatojë kontrolle më të rrepta në të gjitha pikëkalimet kufitare tokësore nga 16 shtatori. Synohet që kjo masë të zbatohet fillimisht për gjashtë muaj.

Kontrollet kufitare në kufijtë e Italisë pritet të zgjasin deri më 18 dhjetor, pasi Roma e përmendi shqetësimin për aktivitet terrorist, luftën në Ukrainë dhe rreziqet për dhunë që ndërlidhen me presidencën e Italisë në Grupin G7.

Norvegjia, që nuk është anëtare e BE-së, por pjesë e zonës Schengen, i rivendosi kontrollet kufitare në porte që kanë lidhje me tragete me zonën Schengen deri më 11 nëntor, duke i përmendur si arsye operacionet e inteligjencës ruse që i rrezikojnë eksportet norvegjeze të gazit ose përkrahjen ushtarake për Ukrainën.

Sllovenia ka vendosur kontrolle kufitare në kufirin me Kroacinë dhe Hungarinë deri më 21 dhjetor, duke i përmendur si arsye përkeqësimin e situatës së sigurisë në Lindje të Mesme dhe në Ukrainë, rrezikun e lartë nga terrorizmi si dhe krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor.

Suedia i ka ashpërsuar kontrollet kufitare deri më 11 nëntor, duke i përmendur si arsye rreziqet për dhunë, përfshirë sulmet antisemite, pas shpërthimit të luftës në Gaza.

Finlanda i ka mbyllur për një periudhë të pacaktuar pikëkalimet kufitare në kufirin me Rusinë, që nuk është anëtare e zonës Schengen, si kundërpërgjigje ndaj rritjes së numrit të azilkërkuesve nga vendet e treta, që, sipas Helsinkit, ishte orkestruar nga Moska. Kremlini e ka mohuar këtë akuzë./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme